Bushati në OKB: Nis fushatën për Këshillin e Sigurimit

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara nisi dje punimet e sesionit të 73-të, ku tema e këtij viti është “T’i vëmë Kombet e Bashkuara në shërbim të popujve, udhëheqje globale dhe ndarje përgjegjësish për shoqëri paqësore, të barabarta dhe të qëndrueshme”. Sipas traditës përpara çeljes Debatit të Përgjithshëm, Asambleja zhvilloi një seancë plenare dedikuar paqes. Ministri Bushati në një komunikim për mediat u shpreh se takimi mbahet në një moment shumë të rëndësishëm kur multilateralizimi dhe bashkëpunimi anë e mbanë botës janë vënë si rrallëherë në pikëpyetje. Kësisoj kërkohet që Organizata e Kombeve të Bashkuara jo vetëm të jetë më e pranishme në zonat e konfliktit por edhe të garantojë zbatimin e programeve zhvillimore që zbusin hendeqet mes rajoneve të caktuara të globit.

Gjatë punimeve të Debatit të Përgjithshëm të OKB-së, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh me fokus ruajtjen dhe forcimin e paqes në botë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, krijimin e mundësive për zhvillim e ekonomik të qëndrueshëm, ndërkohë që paralelisht do zhvillojë disa takime dypalëshe. Në takimet dypalëshe Ministri Bushati, përveç çështjeve që i përkasin agjendës së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera, do të kërkojë edhe mbështetjen e këtyre vendeve për kandidaturën e vendit tonë për vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

“Shqipëria vjen me ambicien e saj në këto punime, pasi po kërkon një vend jo-permanent për në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2022-2023 dhe fushata jonë e komunikimit me partnerë e vende të cilat e njohin Shqipërinë apo që dinë pak rreth Shqipërisë sapo ka filluar, me qëllim që të përmbushim këtë objektiv të politikës tonë të jashtme”, nënvizoi Ministri Bushati.
Shqipëria mbështet gjithashtu reformën e OKB-së e cila synon dhe pritet që ta fokusojë organizatën drejt nevojave që kanë vende të caktuara duke e bërë më pak burokratike dhe duke iu përgjigjur sfidave të një bote e cila duket se e ka të vështirë për të gjetur ekuilibrin e saj.

Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Nju Jork, Ministri Bushati disa takime bilaterale. Kështu ai u takua me homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, me të cilin u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe politike, ekonomike dhe tregtare, mundësitë e mëtejshme të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare. Ai u takua gjithashtu me homologen nga Ruanda Luise Mushikiëabo, Ministrin e Jashtëm të Shtetit të Kuvajtit Sheikh Sabah Al-Khaled Al-Hamd Al-Sabah, Ministrin e Jashtëm të Gambias Mamadou Tangara, si dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Moldavisë Tudor Ulianovschi. Në këto takime u diskutua mbi bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare dhe mbështetja e ndërsjellë duke nënvizuar vullnetin dhe interesin për vazhdimin e këtij bashkëpunimi.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Vekiareli 7 Filothei 15237,
Athens. GR

Tel / Fax

Tel. +30 210 6876212
+30 2106876213
+30 2106876215
+30 210 6876200
Fax. +30 210 6876223

E-MAIL

embassy.athens@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00
Sektori Konsullor
08.00-14.00