Angazhim i ndërsjellë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe me Greqinë

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë Nikolaos Kotzias, i cili po zhvillon një vizitë dy ditore në Tiranë. 

Vizita e Ministrit Kotzias vjen në vazhdën e procesit të nisur të intensifikimit dhe thellimit të dialogut dhe kontakteve të krerëve të diplomacisë të të dy vendeve, në funksion të rritjes së besimit, thellimit të bashkëpunimit dhe eksplorimit të mundësive për gjetjen e zgjidhjeve mbi një sërë çështjesh dypalëshe ende të pa adresuara mes palëve. 

Ky vit shënon 45-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe 20-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë midis dy vendeve. 

Në fokus të bisedimeve ishte gjetja e zgjidhjeve për problematikat dypalëshe, zhvillimet në rajon, përballimi i sfidave të sigurisë si dhe nevoja për një ndërveprim më të mirë mes vendeve të rajonit në adresimin e tyre. 

Ministrat ndanë vlerësimin e përbashkët se fuqizimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve me rëndësi strategjike ndërmjet vendeve tona fqinjë, anëtarë të NATO-s dhe gjithnjë e më afër në planin evropian, është me rëndësi jo vetëm në planin dypalësh, por i shërben edhe një rajoni të vendosur të shohë përpara e të ndërtojë, përmes bashkëpunimit, të ardhmen e vet evropiane. Ministri Bushati vlerësoi dhe shprehu falënderimet për rolin dhe mbështetjen e Greqisë ndaj proceseve integruese të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pas takimit me homologun grek, Ministri Bushati informoi se palët kanë krijuar tashmë një mekanizëm për adresimin e të gjitha çështjeve dypalëshe i cili do të shoqërohet me një udhërrëfyes dhe një kalendar për të pasur produkte konkrete, me synim çlirimin e marrëdhënieve dypalëshe nga ngarkesat e panevojshme që kundërpeshojnë ritmin e natyrshëm të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinjë, partnerë strategjikë, me interesa jetike të përbashkëta. 

Shqipëria konsideron të një rëndësie parësore heqjen nga Greqia të Ligjit të Luftës bashkë me të gjitha efektet juridike të prodhuara prej tij, si hap kyç në përmbylljen e kapitullit të Luftës së Dytë Botërore mes dy vendeve.  

Të dy ministrat njëmendësohen se ligji absurd nuk reflekton as realitetin e marrëdhënieve të sotme dypalëshe dhe as vullnetin e përbashkët të palëve për t’i çuar vendosmërisht përpara këto marrëdhënie. 

Gjetja e zgjidhjeve të mirëpranuara për palët, të mbështetura në të drejtën ndërkombëtare dhe në përputhje me kuadrin e brendshëm ligjor, do t’u japë frymëmarrje të re marrëdhënieve tona dhe do kontribuojë në forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Referuar rëndësisë së trajtimit të çështjes çame, Ministri Bushati theksoi se: "pala Shqiptare nuk ka pretendime territoriale kundrejt Greqisë. Për ne çështja çame është çështje e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, e cila përmban disa komponentë si liria e lëvizjes, liria e pronës dhe e drejta humanitare për respektimin e të rënëve". 

Në kuadër të kësaj vizite, Ministrat do të marrin pjesë gjithashtu në aktivitetin e organizuar në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, me temë: “Mbi rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke për të ardhmen evropiane të rajonit".

Adresa

Ambasada Shqiptare
Vekiareli 7 Filothei 15237,
Athens. GR

Tel / Fax

Tel. +30 210 6876212
+30 2106876213
+30 2106876215
+30 210 6876200
Fax. +30 210 6876223

E-MAIL

embassy.athens@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00
Sektori Konsullor
08.00-14.00