
Në datën 5 prill 2017, Ambasadorja e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Greqisë, Zonja Ardiana Hobdari, i paraqiti në një ceremoni zyrtare Letrat Kredenciale Presidentit të Republikës, Z. Prokopi Pavlopoulos.
Ceremonia u zhvillua në Pallatin Presidencial të Greqisë, me një pritje të Gardës ceremoniale, gjatë të cilës u ekzekutua himni i të dy vendeve.
Në ceremoni morën pjesë Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Greqisë Z. Terens-Nikolaos Quick, Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Greqisë Ambasadori Gennimatas, Drejtoresha e Protokollit të Shtetit të Republikës së Greqisë, Znj. Balta, Drejtoresha e Drejtorisë Diplomatike të Presidentit të Republikës, Znj. Koika, Drejtori i Zyrës së Çështjeve Ushtarake të Presidentit të Republikës, Majori Prezerakos.
Më pas, ambasadorja Hobdari u prit në një audiencë nga Presidenti Pavlopoulos, të cilit i përcolli përshëndetjet e autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar, bashkë me vlerësimin për përkrahjen e vazhdueshme të Greqisë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. “Jam e nderuar që përfaqësoj Shqipërinë në Greqi, një vend me të cilin kemi partneritet strategjik dhe të kontribuoj për forcimin e mëtejshëm të dialogut e bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, u shpreh ajo.
Presidenti Pavlopoulos shprehu mbështjetjen e pakursyer për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe vlerësoi lartë rolin e shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Greqi, të cilët japin kontribut të çmuar për të dy vendet tona.