Republika e Shqipërisë aderon në Marrëveshjen e Lisbonës për mbrojtjen e emërtimeve të origjinës dhe regjistrimin e tyre ndërkombëtar

Më 8 shkurt 2019, Republika e Shqipërisë dorëzoi instrumentin e aderimit në Marrëveshjen e Lisbonës për mbrojtjen e emërtimeve të origjinës dhe regjistrimin e tyre ndërkombëtar.
Marrëveshja e Lisbonës mundëson mbrojtjen ndërkombëtare në vende të tjera, përveç vendit të origjinës, të një kategorie të veçantë të treguesve gjeografikë, siç janë “emërtimet e origjinës”.
 
Çfarë janë “emërtimet e origjinës”?
“Emërtim origjine” nënkupton emërtimin gjeografik të një vendi, rajoni ose lokaliteti, i cili shërben për të përcaktuar një produkt me origjinë nga këto vende, cilësia ose karakteristikat e të cilit i atribuohen ekskluzivisht ose në thelb mjedisit gjeografik, duke përfshirë faktorët natyrorë dhe njerëzorë.
 
Pse duhen regjistruar “emërtimet e origjinës”?
Shqipëria është një vend që ka shumë produkte të kësaj natyre, të cilat duhen identifikuar dhe nxitur për tu certifikuar. Regjistrimi kombëtar, e më tej ai ndërkombëtar, i këtyre produkteve tradicionale ndikon në rritjen e vlerës së tyre, në gjallërimin e zonave rurale, në ruajtjen e biodiversitetit, të trashëgimisë kulturore dhe gastronomike dhe ofron mundësinë e njohjes në tregjet e huaja të produkteve karakteristike shqiptare.
 
Kush përfiton nga Marrëveshja e Lisbonës?
Përfituesit kryesorë janë mbajtësit e të drejtave mbi emërtimet e origjinës.
Shqipëria është tashmë shteti i 29-të anëtar i Marrëveshjes së Lisbonës. Përmes një regjistrimi të vetëm në zyrën ndërkombëtare të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale me seli në Gjenevë, shkurtohet koha dhe kosto për mbrojtje në 28 shtetet e tjera anëtare, përfshirë edhe vendet fqinje, si: Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Italia.
 
Si bëhet regjistrimi i “emërtimeve të origjinës”?
Regjistrimi ndërkombëtar i emërtimeve të origjinës bëhet nga Zyra Ndërkombëtare e Pronësisë Intelektuale, në Gjenevë, me kërkesë të autoritetit kompetent të shtetit kontraktues, që në Shqipëri është Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale.
Zyra Ndërkombëtare e Pronësisë Intelektuale, në Gjenevë, mban Regjistrin Ndërkombëtar të Emërtimeve të Origjinës dhe njofton formalisht shtetet e tjera kontraktuese për regjistrimin. Gjithashtu, Zyra i publikon ato në buletinin zyrtar të sistemit të Lisbonës.
Me aderimin e Shqipërisë në Marrëveshjen e Lisbonës, Zyra Ndërkombëtare e Pronësisë Intelektuale, në Gjenevë, ka shprehur gatishmërinë e plotë për të mbështetur DPPI dhe bizneset shqiptare për zbatimin sa më efektiv të Marrëveshjes.
 
Marrëveshja e Lisbonës hyn në fuqi për Shqipërinë më 8 maj 2019.
 
(Foto: WIPO/Berrod)

Adresa

Misioni i Shqipërisë
Rue du Môle 32, 1201 Gjenevë

Tel / Fax

Tel: +4122 7311143
Fax; +4122 7388156
Nr. e emergjences: +41 79 151 85 04 / +4122 7311143

E-MAIL

mission.geneve@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00