Zhvillon punimet në Tiranë Konferenca e Ambasadorëve 2016 – Lançohet Tirana Initiative

Në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme zhvilloi punimet Konferenca e Ambasadorëve me 13-15 korrik, një aktivitet tre ditor, i cili mblodhi në Tiranë titullarët e përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në botë. 

Kjo Konferencë shërben si një platformë për shkëmbimin e informacioneve dhe ideve, si dhe ngre për diskutim disa prej çështjeve më të fundit që lidhen me politiken e jashtme të vendit tonë, rajonin dhe arenën ndërkombëtare. 

Në këtë Konferencë, u ftuan si panelistë për të ndërvepruar me diplomatët, anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues te shoqërisë civile, analistë dhe përfaqësues të botës akademike, nga hapësira shqiptare ashtu edhe ajo ndërkombëtare, me qëllim diversifikimin e opinioneve dhe ideve mbi zhvillimet aktuale të marrëdhënieve ndërkombëtare. 

I ftuari i nderit në çeljen e punimeve të kësaj konference, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane, Paolo Gentiloni, në fjalën e tij drejtuar trupit diplomatik, u ndal në zhvillimet më të fundit në kontinent, rëndësinë e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve si dhe fokusin e veçantë që i kushton Italia zhvillimeve në rajon. Duke u ndalur në rëndësinë e reformës në drejtësi Ministri Gentiloni theksoi se miratimi i kësaj reforme shihet me interes të veçantë nga vendet evropiane dhe Italia, si dhe evidentoi rëndësinë që ajo të miratohet me marrëveshje mes palëve politike në vend. 

Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së konferencës, Ministri Bushati u ndal në aktivitetin e MPJ-së gjatë viteve të fundit, si dhe zhvillimet, parimet themelore dhe objektivat e politikës së jashtme të vendit. 

Në vijim Ministri Bushati u ndal në punën e kryer në funksion të përmirësimit të infrastrukturës së shërbimit të jashtëm, teknologjisë, burimeve njerëzore. Duke u ndalur me gjerësisht në gamën e shërbimeve që MPJ ofron për qytetaret ku “investimi në teknologjinë e lartë, më konkretisht digjitalizimi i shërbimeve konsullore dhe krijimi i aplikacioneve mbështetëse siç është dhe Aplikacioni konsullor që do të lançojmë në vjeshtën e këtij viti do të përbëjnë përgjigjen me te mire ndaj abuzimeve dhe apatisë” theksoi Ministri Bushati. 

Përmirësimi i kuadrit ligjor ne shërbimin e jashtëm ishte një tjetër pike ne te cilën u ndal Ministri Bushati ne fjalën e tij duke theksuar se: “paketa e re ligjore ka nisur të adresojë pikërisht ato sfida me të cilat përballen punonjësit e shërbimit të jashtëm:
-    për t’i dhënë fund sistemit të piramidës së përmbysur të gradave diplomatike;
-    për të rikthyer në qendër të politikës së burimeve njerëzore profesionalizmin;
-    për të vendosur meritokracinë në themel të shërbimit nëpërmjet një konkursi pranimi dhe testeve të promovimit në gradat e larta;
-    për ta hapur pozicionin e Ambasadorit për njerëz të talentuar duke u ndarë përgjithmonë nga praktika e kuotave partiake”.

Gjatë kësaj konference u lancua dhe Inicativa e Tiranës si një instrument që do të ndihmojë në monitorimin e Procesit të Berlinit në funksion të integrimit evropian të vendit. “Tirana Initiative” – Iniciativa e Tiranës, që po shpallim sot në vazhdën e tre samiteve Berlin – Vjenë – Paris dhe në përgatitje të Samitit të radhës në Romë vitin e ardhshëm. Kjo iniciativë do të shërbejë si platformë:
-    për të monitoruar vijimësinë e Procesit të Berlinit, si përshpejtues të procesit të integrimit,
-    për ta pasuruar axhendën e bashkëpunimit rajonal duke përfshirë sigurinë dhe çështjet e sundimit të së drejtës,
-    për të lehtësuar bashkërendimin me shoqërinë civile, komunitetin e biznesit dhe bashkësinë akademike,
-    për të mundësuar që ndërvarësia aktuale e Europës Adriatike me BE-në të shndërrohet në një proces ku përfundohet me sukses demokratizimi dhe ku BE-ja mund të kapitalizojë investimin e saj afatgjatë në rajon” theksoi Ministri Bushati.

Në përfundim të punimeve të ditës së parë të konferencës, Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro prezantoi një ekspozite të fotografit Roland Tasho e cila kishte në fokus dokumentimin e imazhit të shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Në këtë ekspozitë Tasho paraqitet me 25 foto të shqiptareve që jetojnë jashtë dhe me 6 foto të personaliteteve të huaj të veshur me kostume popullore shqiptare. 

*  *  *  *  *

Gjatë ditës së dytë të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve, krerët e përfaqësive të RSH-së në botë morën pjesë në tre panele tematike, të cilat kishin si synim diskutimin e temave më të rëndësishme të politikës së jashtme shqiptare.

Në panelin e parë kushtuar perspektivēs sē integrimit të Ballkanit Perëndimor, folës kryesorë ishin Ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha, Ana Palacio, Anëtare e Këshillit të Shtetit të Spanjës, Arta Dade, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, Majlinda Bregu, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian dhe Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian si dhe Goran Svilanović, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Panelistët u ndalën në dinamikat e brendshme në BE dhe tek përparimi i procesit të integrimit në BE, si objektiv themelor qytetarëve shqiptarë.

Paneli i dytë me temë “Plotësimi i mangësive në arkitekturën tonë të sigurisë” kishte si folës kryesorë Enver Hoxhaj, Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Mimi Kodheli, Ministre e Mbrojtjes, Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Industrisë, Ernst Reichel, i Dërguari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe vendet anëtare të EFTA-s dhe Sandër Lleshi, Këshilltar i Kryeministrit për Çështjet e Sigurisë. Ata u ndalën në sfidat me të cilat përballet sot Shqipëria dhe rajoni, në kontekstin e një mjedisi ndërkombëtar kompleks, multipolar dhe të ndërvarur dhe mundësitë e vendit në raport me rritjen e sigurisë, në kuadër të strukturave trans-atlantike. Ministri Hoxhaj u ndal në zhvillimet më të fundit në rajon, dhe në rëndësinë që ka thellimi dhe intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në kuadër të Partneritetit Strategjik midis të dy vendeve. Siguria energjetike dhe rolin e saj gjithnjë e më ndikues në arkitekturën e sigurisë në kontinent, ishin në fokus të këtij paneli.

Paneli i tretë i Konferencës me temë “Rishfaqja e aktorëve të tretë në Evropën Juglindore’ kishte si folës kryesorë Selim Belortaja, Zëvendës Ministër i Punëve të Jashtme, François Heisbourg, Kryetar i Këshillit të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, Andrey Kortunov, Drejtor i Përgjithshëm i Këshillit Rus të Çështjeve Ndërkombëtare, John Rendon, CEO, Rendon Group dhe Sinan Ülgen, Kryetar Ekzekutiv, Qendra për Studime Ekonomike dhe të Politikës së Jashtme (EDAM). Bashkëbiseduesit u ndalën në gjithëpërfshirjen gjithnjë në rritje të bashkëpunimit rajonal dypalësh dhe shumëpalësh, si dhe interesin gjithnjë në rritje të aktorëve tradicionalë dhe jo-tradicionalë nga jashtë rajonit. 

Gjatë punimeve të ditës së dytë të Konferencës, krerët e përfaqësive të RSH-së në botë u pritën në një takim të veçantë nga Kryeministri Edi Rama, dhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta.  Në fjalën e tij me Ambasadoret Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë gjatë 24 muajve të fundit nga diplomacia shqiptare, si dhe zhvillimet, parimet themelore dhe objektivat e politikës së jashtme të vendit, raportet me fqinjët, kontributin që mund të japë diplomacia në funksion të zhvillimit të vendit.

*  *  *  *  *

Gjatë ditës së fundit të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve, krerët e përfaqësive të RSH-së në botë morën pjesë në dy panele tematike, të cilat kishin si synim diskutimin e temave të zhvillimit dhe promovimit të vendit. 

Në panelin e parë me temë “Zhvillimi si prioritet në rajonin tonë: Rritja ekonomike, qeverisja dhe të drejtat e njeriut”, folës kryesorë ishin Blendi Klosi, Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Cihan Sultanoğlu, Ndihmës Sekretare e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe Drejtore e PNUD-it për Evropën dhe Bashkësinë e Shteteve të Pavarura, Odeta Barbullushi, Zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Ellen Goldstein, Drejtore e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. 

Penalistët diskutuan mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, zhvillimin dhe rritjen ekonomike. Një temë e rëndësishme e trajtuar gjatë panelit ishin dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara që synojnë të luftojnë pabarazinë dhe promovojnë mirëqenien e qytetarëve. Në panel nënvizua se në përputhje me strategjinë kombëtare të zhvillimit, Shqipëria është e angazhuar të respektojë të drejtat e njeriut, fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe ofrimin e një perspektive reale për të rinjtë dhe të ardhmen e tyre.

Na panelin e dytë me temë “Përtej diplomacisë klasike”, folës kryesorë ishin Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës, Adrian Paci, Artist shqiptar i artit bashkëkohor botëror. Në fokus të panelit ishte angazhimi për promovimin e një imazhi të favorshëm të vendit, roli i diplomacisë kulturore, si një mjet i domosdoshëm për të siguruar një promovim në nivel ndërkombëtar të jetës kulturore përmes mjeteve të diplomacisë tradicionale, si edhe gjithnjë e më shumë asaj publike dhe digjitale. 

Gjatë diskutimeve që vijuan në pjesën e fundit të konferencës u trajtuan shërbimet konsullore dhe reforma e ndërmarrë në këtë fushë që synon ripozicionimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme si një institucion që ofron shërbime transparente dhe me kosto të ulët për shtetasit shqiptarë kudo ne botë. Panelistët evidentuan përmirësimet e fundit të kuadrit ligjor, thjeshtëzimin e praktikave dhe modernizimin e infrastrukturës në impaktin që kanë dhënë në rritjen, shpejtësisë dhe cilësisë se shërbimeve konsullore.

Krerët e përfaqësive të RSH-së në botë, në mbyllje të punimeve të Konferencës, zhvilluan një takim me komunitetin e biznesit me temë  “Promovimi i ‘Made in Albania’ në botë”, me pjesëmarrjen e Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi. Në fokus të diskutimit ishte rëndësia e thellimit të eksporteve të prodhimeve shqiptare si dhe potenciali që ofron Shqipëria për investitorët e huaj dhe avantazhet krahasuese në raport me vendet e tjera të rajonit.  

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00