Zhvillohet në MPJ “Dita e Hapur: Mundësitë për Bursa studimi për studentë dhe të rinj”

Me nismën dhe përkujdesjen e Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati u zhvillua me 24 shkurt 2017 në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme aktiviteti “Dita e Hapur: Mundësitë për Bursa studimi për studentë dhe të rinj”.
 
Kjo nismë, e ndërmarrë për herë të parë, kishte si qëllim njohjen me mundësitë që vende të ndryshme të botës ofrojnë për nxënës dhe studentë shqiptarë për nivele të ndryshme të edukimit. 
 
Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me 13 ambasada të vendeve të ndryshme të akredituara në Shqipëri informuan pranë stendave të tyre më shumë se 200 pjesëmarrës, nxënës dhe studentë të ekselencës, me  programet e ndryshme arsimore që ofrohen nga vendet e tyre si dhe mundësitë dhe procedurat për përfitimin e bursave studimore.
 
Aktiviteti, në të cilin morën pjesë edhe ambasadorët e vendeve respektive si edhe institutet akademike dhe kulturore të këtyre vendeve, u hap me fjalën përshëndetëse të Ministrit Ditmir Bushati. “Prindërit shqiptarë bëjnë sakrifica të panumërta për fëmijët e tyre. Duke e vendosur fokusin tonë tek të rinjtë, duke e hapur institucionin tonë më shumë ndaj të rinjve, krahas të gjitha inisiativave të mëparshme që kemi bërë në këtë drejtim, ne do të kemi një mundësi të re për t’i dhënë një shtysë të mëtejshme zhvillimit tonë ekonomik e shoqëror” – u shpreh ministri i Jashtëm Bushati.

Duke iu referuar përvojës së tij personale për tërheqjen e vëmendjes së shtetit përkundrejt nevojës që ka planifikimi i zhvillimit të vendit, Ministri Bushati, nxiti një koordinim më të mirë të mendjeve të ndritura të së ardhmes, të cilat do të mund të shfrytëzohen më pas në rritjen e nivelit të kapaciteteve njerëzore në vend. Ministri Bushati tha se “është përgjegjësia e secilit prej nesh që të jemi më idealistë, më patriotë dhe dijen që e përfitojmë nga këto institucione prestigjioze ta sjellim si një kontribut të shtuar për zhvillimin e atdheut tonë”.

Kjo ditë e  hapur u mirëprit jo vetëm nga studentët dhe nxënësit por edhe nga vendet pjesëmarrëse, me bashkëpunimin e të cilëve aktivitetin do ta zhvendosim edhe në qytetet e tjera në vend. 

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00