Zhvillohet në Bruksel takimi i Miqve të Shqipërisë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati morën pjesë në takimin e Miqve të Shqipërisë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, një iniciativë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë dhe Austrisë, Paolo Gentiloni dhe Sebastian Kurz.

Në takim morën pjesë Ministrat e Punëve të Jashtme dhe përfaqësues nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme Frederica Mogherini dhe Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Zgjerimin Johannes Hahn.

Ministri Bushati falenderoi Italinë dhe Austrinë për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer në perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe u shpreh se ky takim i organizuar fill pas publikimit të raportit dhe rekomandimit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit, përbën një mundësi shumë të mirë për të diskutuar me vendet anëtare progresin e Shqipërisë, por dhe sfidat që kanë të bëjnë me reformat e guximshme të ndërmarra nga vendi ynë në axhendën e reformave europiane. Në takim u diskutua mbi koordinimin e hapave të mëtejshme drejt çeljes së bisedimeve të anëtarësimit.

Në këtë kontekst, ministrat e jashtëm të vendeve anëtare vlerësuan rolin konstruktiv të  Shqipërisë në rajon dhe rezultatet pozitive të arritura në përmbushje të prioriteteve kyçe për çeljen e negociatave të anëtarësimit dhe miratimin e reformës në drejtësi, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e zbatimit të qëndrueshëm të tyre. Gjithashtu, ata nënvizuan progresin e pasqyruar në Raportin e Komisionit duke evidentuar ecurinë e reformave shtet-konsoliduese dhe çmuar vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për të vijuar me përmbylljen e reformës në drejtësi.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00