Zëvendësministrja Malo në takimin e Grupit të Kontaktit të Mesdheut të OSBE, firmoset platforma mbi rolin e rinisë për stabilitetin në rajon

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Malo, në kuadrin e Kryesimit nga Shqipëria të Grupit të Kontaktit të Mesdheut të OSBE-së, (GKM) për vitin 2019, mori pjesë në Takimin e parë me temë: “Roli i rinisë në nxitjen e dialogut, bashkëpunimit dhe sigurisë në rajonin e Mesdheut”, mbajtur në datën 19 mars 2019.

Takimi ofroi një platformë për përfaqësuesit e rinisë nga vendet partnere mesdhetare dhe vendet pjesëmarrëse të OSBE-së për shkëmbim pikëpamjesh mbi rritjen e rolit të rinisë në përmirësimin  e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e OSBE dhe atë të Mesdheut, përmes nxitjes së pjesëmarrjes dhe angazhimit të brezit të ri, në mbështetje të dialogut dhe bashkëpunimit mes dy rajoneve.

Nё fjalёn e saj pёrshёndetёse, Zëvendësministrja Malo shprehu angazhimin e vendit tonë si Kryesues i GKM-së dhe si vend mesdhetar, për të mbështetur rolin e rëndësishëm që luajnë vendet partnere mesdhetare në aspekte të ndryshme të konceptit gjithëpërfshirës të sigurisë së OSBE-së.

Ajo nënvizoi faktin se Shqipëria do të vijojë punën e kryesive të mëparshme, duke synuar avancimin e dialogut dhe bashkëpunimit me vendet partnere në fusha me interes të përbashkët, ku OSBE sjell një vlerë të shtuar në luftën kundër terrorizmit, ndërlidhshmërisë, sigurisë kibernetike, energjisë, rinisë, grave, shoqërisë civile, etj.

Në vijim, Zëvendësministrja Malo shprehu rëndësinë që vendi ynë i kushton rinisë dhe fuqizimit të rolit të saj, në dritën e kontributit thelbësor që brezi i ri mund të ofrojë në adresimin e sfidave të përbashkëta.

Duke u ndalur në modelet pozitive dhe kontributin e vendit tonë në forcimin e rolit të rinisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përmes angazhimeve konkrete rajonale,  ajo nënvizoi rolin potencial që mund dhe duhet të luajë rinia në rajonin e Mesdheut, në mbështetje të rritjes së dialogut, forcimit të bashkëpunimit dhe përmirësimit të sigurisë në këtë rajon.

Takimi mbi rininë në Vjenë është i pari i organizuar nga Kryesia Shqiptare e Grupit të Kontaktit të Mesdheut, i cili u përshëndet edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00