Organizohet për të tretin vit rradhazi në Komitetin e Rajoneve në Bruksel ‘Dita e Zgjerimit’

Në datat 31.05.2017-1.06.2017 Komiteti i Rajoneve organizoi në Bruksel “Ditën e Zgjerimit”. Dita e Zgjerimit (Enlargment Day) është një forum që organizohet për të tretin vit, për të diskutuar dhe mbështetur procesin e zgjerimit të BE dhe veçanërisht për të inkurajuar  përfshirjen në nivel vendor dhe rajonal.

 Më 31 Maj u zhvillua takimi i Grupit të Punës për BP "Working Group on Western Balkans". Vendi ynë u përfaqësua nga Ambasadorja e Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian znj.Suela Janina dhe znj. Blerina Guga, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës së Këshillave Rajonale.

Ambasadorja Janina në fjalën e saj u ndal në rekomandimin e dhënë nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave, subjekt i rezultateve konkrete në reformën në drejtësi dhe theksoi se ky proces është prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare, duke besuar se progresi do ta afrojë Shqipërinë me BE-në dhe do të mundësojë fillimin e negociatave të anëtarësimit. Më tej Ambasadorja nënvizoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në marrëdhëniet e bashkëpunimit rajonal dhe vlerën e shtuar që i ka dhënë Procesi i Berlinit këtij bashkëpunimi. Ambasadorja falenderoi në fjalën e saj edhe Komisionin Evropian, i cili nëpërmjet projektit të fundit që ka filluar të zbatojë në Shqipëri “Municipalities for Europe” po ndihmon në forcimin e kapaciteteve administrative të pushtetit vendor dhe rritjen e rolit të tyre në procesin e integrimit evropian.

Në sesionin plenar të datës 1 Qershor u rikonfirmua se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë progres në rrugën e tyre të integrimit dhe u nënvizua ideja se pushteti vendor dhe rajonal duhet të përfshihet më tepër në procesin e integrimit duke dhënë kontributin e vet qe efektet pozitive të jenë të prekshme për qytetaret e vendeve tona.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00