MPJ lançon konkursin e fotografisë #ColoursofAlbania - Ngjyrat e Shqipërisë

Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me kompaninë Telekom Albania organizuan gjatë mbrëmjes së djeshme aktivitetin promovues të konkursit fotografik #ColoursofAlbania - Ngjyrat e Shqipërisë.

Kjo nismë, e cila vijon #ColoursofAlbania 2015, fton publikun e huaj dhe shqiptar të marrë pjesë në konkursin fotografik në mediat sociale, duke synuar që të gjithë të luajnë rolin e tyre si “Ambasadorë të vendit tonë”. Nisma synon të promovojë bukuritë shqiptare nëpërmjet syve të qytetarëve, të rinjve apo të apasionuarve pas fotografisë. 
Në aktivitet mori pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministra të Kabinetit qeveritar, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. 

Konkursi #ColoursofAlbania është një platformë për mbështetjen e "diplomatëve digjitalë" shqiptarë nëpër botë në promovimin e plotë të Shqipërisë së gjallë, historike e kulturore. 
Nisma u promovua për herë të parë në vitin 2015, në përfundim të së cilës u përzgjodhën 10 fotot me të mira, të cilat me pas u shndërruan në një ekspozite lëvizëse që vijon të ekspozohet në përfaqësitë shqiptare nëpër botë. 

Konkursi zhvillohet në mediat sociale, Instagram dhe Facebook, platforma të cilat mbledhin foto nga të gjithë pjesëmarrësit nëpërmjet përdorimit të # (hashtagut në Instagram) dhe @ (tagut në Facebook). 

Nisma #ColoursofAlbania do të zgjasë 6 muaj (maj- tetor 2016). Mbyllja e konkursit dhe vlerësimi i fotove më të mira nga juria e përfaqësuar nga fotografë profesionistë, do të jetë në muajin shtator. Temat e konkursit fotografik janë të lira dhe ftojnë pjesëmarrësit të fotografojnë natyrën, artin, kulturën, punën, turizmin, jetën e përditshme në qytet dhe fshatrat e vendit. 

#ColoursofAlbania mbështetet nga ambasadorët e kulturës dhe imazhit shqiptar në botë: Skuadra Kombëtare e Futbollit, Saimir Pirgu, Ermonela Jaho, Olen Cezari, Kledi Kadiu, Federata e Rafting Albania. 

Në fjalën përshëndetëse në aktivitetin promovues, Kryeministri Rama u ndal në rëndësinë e kësaj nisme në funksion të promovimit të vlerave dhe bukurive të vendit, si dhe mundësive që ofron teknologjia në rritjen e kapaciteteve të njeriut për të komunikuar me të tjerët. 
Drejtori ekzekutiv i Telekom Albania Dimitris Blatsios vuri në pah eksperiencën e tij pozitive në një Shqipëri me ngjyra më të çelura në të gjitha fushat e jetës, duke u ndalur në bukurinë natyrore të vendit, traditën e kulturën e pasur të njerëzve, si dhe mikpritjen e shoqërisë sonë.

 

   * * * 

 

Fjala përshëndetëse e Ministrit Bushati në ceremoninë e fillimit të konkursit #ColoursofAlbania:

 

I nderuar Kryeministër,
E dashur Mirela,
I dashur Erion,
Zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në aktivitetin e promovimit të konkursit fotografik në Instagram, “Colours of Albania”.
 Dikur Abraham Linkolni thoshte se “nuk ka fotografi të keqe, ka thjesht çaste kur fytyra jote duket keq”.

Me këtë në mendje, dëshiroj të them se “Colours of Albania” nuk është konkurs bukurie. Ndonëse 10 fituesit e parë do të marrin një shpërblim modest, falë edhe bujarisë së Telekom Albania, fotografitë e publikuara në Instagram shpresoj të pasqyrojnë copëza nga Shqipëria jonë, që tregojnë se në kemi vlera, tradita, natyrë e gjeografi, të cilat ja vlen t’ia rrëfesh tjetrit.

Fotografitë janë në vetvete rrëfenja të ngrira në kohë, ku çasti vallëzon me pafundësinë. Susan Sontag dikur shprehej se fotografitë janë “memento mori” - kujtesë e vdekësisë tënde. Kapja e një çasti të ikur përgjithmonë, e diçkaje të papërsëritshme – kjo është ajo çka e bën fotografinë, një formë unike arti.
 “Colours of Albania” është ndërthurja e artit klasik të fotografisë, me instrumentet modernë të komunikimit online.

Këtu qëndron edhe veçantia e këtij konkursi - të përdorimi i kanaleve moderne të komunikimit, si Instagram e Facebook, për të arritur jo vetëm një audiencë më të gjerë, por për të treguar edhe një anë tjetër të atdheut tonë. Shqipërinë mikpritëse e me natyrë të mrekullueshme, Shqipërinë e ndryshimit, Shqipërinë magjike me njerëz bujarë. 

Jemi të vetëdijshëm që imazhi i vendit tonë në botë kërkon përmirësime, sepse atdheu ynë në 25 vitet e fundit, ka pësuar ndryshime rrënjësore. Sepse qytetet tona, deri dje si fantazma të një seti të braktisur kinematografik, sot, falë Rilindjes Urbane, janë rigjallëruar.

Dikur piktori i famshëm Salvator Dali thoshte se “njerëzit janë të uritur dhe të etur për imazhe”. Dhe në këtë pikë, kontributi i të gjithëve ne, por i të rinjve në veçanti, është i pazëvendësueshëm.

“Colours of Albania” - një ushtrim i diplomacisë publike dhe digjitale – është njëkohësisht një ushtrim edhe i qytetarëve shqiptarë për të promovuar veten dhe vendin e tyre pa drojë e pa komplekse.

Diplomacia publike, që përbën një nga shtyllat kryesore të politikës sonë të jashtme, konsiston në komunikimin efikas me publikun, me qëllim vendosjen e një dialogu për të informuar dhe për të shpërndarë idetë dhe vlerat e vendit tonë.

Ne e konceptojmë diplomacinë publike si një mjet për të ndihmuar procesin e integrimit të Shqipërisë në familjen europiane dhe për të nënvizuar vlera të patjetërsueshme shqiptare si vëllazëria ndërfetare, mikpritja dhe bujaria.

Mjeshtri i botës monokromatike Ansel Adams, thoshte:

“Kur fjalët bëhen të paqarta, përqendrohem të fotografitë. Dhe kur imazhet bëhen të pamjaftueshme, përqendrohem të heshtja”.

Prandaj le të komunikojmë mes vedi e me të tjerët përmes imazheve tona!
 
Ju faleminderit!

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00