Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, takon në Parlamentin Europian, eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan

Ministrja Gjosha: Konkretizimi i reformës në drejtësi kërkon vazhdimin e  dialogut politik konstruktiv

Eurodeputetët:  Nevojitet implementimi i reformës në drejtësi me rezultate të prekshme nga qytetarët

 

Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, gjatë vizitës dy ditore në Bruksel me 28-29 shtator, zhvilloi disa takime në Parlamentin Europian. Ministrja, u prit nga eurodeputetët z. Knut Fleckenstein dhe z. Eduard Kukan.

Eurodeputetët, vlerësuan maksimalisht miratimin konsensual të reformës në drejtësi, duke e konsideruar si një hap të madh përpara për Shqipërinë,  në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Eurodeputetët, vunë theksin te domosdoshmëria e implementimit të kësaj reforme, duke mundësuar rezultate të prekshme nga qytetarët.

Në këtë kontekst, Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, u shpreh se Shqipëria është e vendosur të konkretizojë zbatimin e reformës në drejtësi, përmes procesit të integrimit. Ministrja Gjosha, theksoi se domosdoshmëria e dialogut politik konstruktiv i shërben pikërisht këtij procesi.

“Ky dialog  dhe vullnet pozitiv i treguar për reformën në drejtësi, është i domosdoshëm të vazhdojë edhe me ligjet e tjera që duhet të miratohen, pasi i shërben të gjitha palëve politike, por dhe të ardhmes së vendit”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja  theksoi  se  implementimi i reformës në drejtësi do të kërkojë kohë, por shprehu   bindjen se përmes kapitujve 23 dhe 24 të cilët lidhen drejtpërdrejt me shtetin e së drejtësi, zbatimi i saj do të bëhej më konkret.

“Prandaj dhe për ne është me shumë rëndësi, marrja e një rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave me BE-në pikërisht me këto kapituj, të cilët në fakt do të jenë të parët që do të hapen dhe të fundit që do mbyllen”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja u shpreh se Shqipëria meriton një raport pozitiv nga Komisionin Europian dhe se marrja e rekomandimit do të ishte shtysa me e mirë, për të vazhduar rrugën e reformave shtetndërtuese, të cilat i shërbejnë të ardhmes së vendit dhe qytetarëve.

Eurodeputetët inkurajuan Shqipërinë për të ecur përpara me procesin e integrimit, duke nënvizuar se ky moment pozitiv duhet përdorur pikërisht në funksion të së ardhmes europiane. 

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00