Ministri në Detyrë Cakaj në Komisionin e Kuvendit për Integrimin Evropian: Besimplotë për çeljen e negociatave me BE-në bazuar mbi meritat dhe progresin e Shqipërisë

Komisioni i Kuvendit të Shqipërisë për Integrimin Evropian zhvilloi sot një dëgjesë me Ministrin në Detyrë Gent Cakaj, për t’u informuar mbi zhvillimet më të fundit që lidhen me proceset e integrimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht në një moment kyç ku pritet edhe çelja zyrtare e negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë.

Ministri në Detyrë Cakaj, paraqiti stadin aktual të zhvillimeve duke nënvizuar se vendimi i Këshillit vitin e kaluar ka qenë jo vetëm një afirmim ndaj arritjeve të Shqipërisë në drejtim të pesë prioriteteve kyçe, por ka shërbyer njëkohësisht edhe si një udhërrëfyes për punën përgatitore dhe vetë procesin “screening” në të cilin Shqipëria ka hyrë si pararendje e fillimit të negociatave të çdo kapitulli të aqui-së.

Në këtë drejtim Ministri në Detyrë Cakaj nënvizoi, se “përtej progresit të dukshëm në realizimin e procesit të “screening”, Shqipëria ka ndërmarrë edhe hapa shtesë në përputhje me pritshmërinë e lartë për çeljen e negociatave, konkretisht në përgatitjen teknike dhe administrative të institucioneve shqiptare për të përballuar vëllimin dhe dinamikat që pasojnë hapjen eventuale të negociatave për anëtarësim, duke filluar nga miratimii i VKM-së për strukturën përgjegjëse për negocim e deri tek kompletimi i të gjitha akteve nënligjore që mundësojnë vënien në lëvizje të institucioneve të shtetit shqiptar për zhvillimin e negociatave”.

“Diskursi i brendshëm i BE-së përsa i përket zgjerimit, mund të mos jetë më pozitivi i mundshëm, e megjithatë Shqipëria përsëri gëzon mbështetjen e shumicës absolute të shteteve anëtare, çka flet qartësisht për një vlerësim mbi qëndrueshmërinë e reformave që kanë ndodhur në Shqipëri”, u shpreh Ministri në Detyrë Cakaj para Komisionit për Integrimin Evropian.

Gjatë ndërveprimit me anëtarët e këtij Komisioni të Kuvendit të Shqipërisë, Ministri në Detyrë Cakaj nënvizoi edhe njëherë besimin e tij se vendimi për hapjen e negociatave do të merret në bazë të meritave dhe progresit të Shqipërisë, në rolin  konstruktiv dhe reformave të brendshme substanciale të Shqipërisë, në performancën e saj në rajon dhe në politikat e saj në përputhje të plotë me parimet e sigurisë e politikës së jashtme të BE-së.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00