Ministri Bushati pret Nënsekretarin Italian për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Vincenzo Amendola

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti në takim më 24 janar 2017, Nënsekretarin Italian për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Vincenzo Amendola, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë në kuadër të marrjes nga Italia të Kryesisë së radhës të Procesit të Berlinit dhe mbajtjes për këtë qëllim në Tiranë të Mbledhjes Koordinuese me Ambasadorët Italianë të akredituar në rajon.

Në qendër të bisedimeve ishin përgatitjet për Samitin e ardhshëm të Triestes, procesi i integrimit europian të Shqipërisë, intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh dhe zhvillimet rajonale.

Dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se avancimi i mëtejshëm i arritjeve të Samitit të Parisit kërkon angazhim të përbashkët me synimin që Procesi i Berlinit të vijojë të japë rezultate të mëtejshme, për zbatimin e axhendës së ndërlidhjes dhe forcimin e mbështetjes së BE-së për perspektivën e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kontekst, Ministri Bushati përcolli vlerësim për rolin e Italisë si vendi pritës i Samitit të radhës të Procesit të Berlinit. Ai falënderoi njëkohësisht Italinë mike për mbështetjen e pakushtëzuar në rrugëtimin e Shqipërisë drejt përafrimit me familjen europiane dhe e siguroi Nënsekretarin Amendola se vendi ynë do të vijojë me përmbushjen e të gjitha kritereve të kërkuara nga BE për të hedhur me shpejtësi hapin e radhës në drejtim të çeljes së negociatave të anëtarësimit.

Nga ana e tij, zyrtari i lartë italian theksoi punën në proces për të siguruar suksesin e plotë të Samitit të Triestes përmes përmbushjes së rezultateve të prekshme dhe me karakter gjithëpërfshirës për të gjithë rajonin. Duke vlerësuar lart përpjekjet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e reformave dhe forcimin e shtetit të së drejtës, Amendola garantoi Ministrin Bushati për vazhdimin e mbështetjes së Italisë në procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian.

Duke u ndalur tek marrëdhëniet mes dy vendeve, bashkëbiseduesit theksuan nevojën e fuqizimit të mëtejshëm të Partneritetit Strategjik dhe pasurimin e mëtejshëm të të gjithë spektrit të bashkëpunimit dypalësh.

Lidhur me zhvillimet në rajon, dy bashkëbiseduesit evidentuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal në të mirë të nxitjes së fqinjësisë së mirë, gjithëpërfshirjes dhe perspektivës së përbashkët europiane. Nënsekretari Amendola vlerësoi maksimalisht lidershipin aktiv dhe konstruktiv të vendit tonë në rajon në funksion të paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Europën Adriatike.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00