Ministri Bushati merr pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Bashkimit për Mesdheun gjatë të cilit zhvillon disa takime dypalëshe

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit për Mesdheun, i organizuar në formatin e një Forumi Rajonal, në Barcelonë. Takimi u kryesua nga dy bashkë-presidentët e Bashkimit për Mesdheun, Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë  për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian, dhe Ayman Al Safadi, Ministër i Punëve të Jashtme të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë. Në takim morën pjesë gjithashtu dhe Komisionieri për Politikën Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn dhe ministra të rajonit të Mesdheut. Forumi Rajonal i BpM ishte i përbërë nga dy segmente: takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të Bashkimit për Mesdheun dhe Konferenca me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sektorit privat dhe shoqërisë civile. Panelistët në forum theksuan se të rinjtë janë aseti më i vyer i rajonit të BpM dhe krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe forcimi i kapitalit njerëzor përbëjnë ndër prioritetet kryesore të axhendës së Bashkimit për Mesdheun. Ndër temat e adresuara në panelet e forumit ishin axhenda e zhvillimit njerëzor dhe sigurimi i stabiliteti rajonal për Mesdheun, axhenda e zhvillimit të qëndrueshëm, ndërlidhja në rajon etj.

Ministri Bushati nënvizoi në fjalën e tij se: "Si rezultat i diversitetit të saj gjeografik dhe përfshirjes duke bërë bashkë 43 vende, 28 prej të cilëve anëtarë të BE-së, vendet e jugut dhe lindjes së Mesdheut, si dhe tre vendet e Ballkanit Perëndimor, Bashkimi për Mesdheun mund të na ndihmojë të gjejmë një sens qëllimi të përbashkët në adresimin e sfidave të sigurisë".

Duke u ndalur në nevojën për të adresuar shkaqet e thella të fenomeneve të terrorizmit dhe migrimit, Ministri Bushati u shpreh se: "Këto sfida gjithashtu dëshmojnë rëndësinë dhe lidhjen mes çështjeve të  sigurisë dhe zhvillimit. Në këtë kohë është shumë e rëndësishme qe të mos harrojmë zhvillimin njerëzor, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek mundësitë që ofrojmë për të rinjtë, ndaj angazhimet politike që kemi ndërmarrë në këtë aspekt duhet të përkthehen në veprime konkrete".

Në kuadër të qëndrimit në Barcelonë, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini. Në takim u diskutua mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugëtimin europian si dhe mbi zhvillimet më të fundit në rajon dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Palët u ndalën në rolin stabilizues dhe europianizues të shqiptarëve në rajon, si dhe vizionin e Shqipërisë për një rajon të sigurt ku proceset demokratike shtet-konsoliduese vijojnë pa u keqpërdorur nga aktorët e tretë. Ministri Bushati theksoi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar kontributin e saj për një rajon të kyçur në rrjedhat euro-atlantike. 

Gjithashtu, në kuadër të këtij Ministeriali, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Ministrin e ri të Jashtëm të Jordanisë Ayman Al Safadi. Dy Ministrat diskutuan mbi bashkëpunimin shumë të mirë në rrafshin dypalësh dhe atë shumëpalësh, si dhe evidentuan bashkëpunimin shumë të mirë gjatë dy viteve të fundit në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00