Ministri Bushati merr pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini dhe Zëvendës Kryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së (Gymnich), që u zhvillua në Sofie.

Në këtë takim ishin të ftuar edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve kandidate. Diskutimet u përqendruan në sfidat e përbashkëta të sigurisë në Europë, dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Ministri Bushati vuri në dukje masat dhe arritjet e Shqipërisë në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe nënvizoi mbështetjen e vazhduar dhe linjëzimin e plotë të Shqipërisë me politikën e BE-së, për adresimin e sfidave të sigurisë. 

Ministri ritheksoi nevojën për një prani të shtuar të BE-së në Ballkanin Perëndimor, në kuadrin e një partneriteti të përforcuar në përballjen me sfidat e përbashkëta.

Ministri Bushati nënvizoi rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe të ofrimit të mundësive të punësimit për të rinjtë, si instrumentat më efikase për parandalimin e përhapjes së ideologjisë ekstremiste. Në këtë kuadër, Ministri theksoi nevojën për të ngushtuar hendekun në zhvillimin ekonomik midis vendeve të BE-së dhe rajonit tonë edhe përmes instrumenteve financiarë të procesit të zgjerimit të BE-së, në zbatim të Komunikatës së Komisionit Evropian mbi perspektivën e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
 
Gjatë një interviste të shkurtër, menjëherë pas mbërritjes së tij në Sofje, ministri Bushati ka deklaruar se, edhe pse do të dëshironte që Strategjia e Zgjerimit të Komisionit Evropian të ishte më e detajuar mbi hapat që duhet të ndërmerren nga vendet kandidate, ajo është një hap i mirë dhe në drejtimin e duhur, sidomos pas vitesh të vështira që ky proces ka kaluar. Ministri përsëriti dëshirën për të punuar me Komisionin dhe vendet anëtare për materializimin e 6 nismave madhore që do ta afronin më shumë vendin tonë me BE-në.
 
Deklarata e ministrit Ditmir Bushati:

Gazetarja: Cili është komenti juaj Z. Bushati për Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Europian?

Ministri Bushati: Sigurisht, e mirëpresim publikimin e Strategjisë. Sigurisht do të dëshironim të ishte më shumë e detajuar mbi hapat që duhet të merren nga vendet kandidate, masat dhe instrumentet financiare e politike që mund të ofrohen nga BE. Gjithsesi, dëshiroj të rikonfirmoj që ky është një hap i mirë, në drejtimin e duhur, sidomos pas viteve të vështira që procesi i zgjerimit ka kaluar. Ne dëshirojmë të punojmë me Komisionin dhe vendet anëtare në materializimin e 6 nismave madhore që potencialisht do na afronin më shumë pranë BE-së.

Gazetarja: Hungaria tha se procesi i integrimit europian nuk është mjaftueshëm i shpejtë. Çfarë mendoni për këtë? 2025 a është mjaftueshëm për të materializuar 6 nismat madhore?

Ministri Bushati: Mendoj më mirë të përqendrohemi në çfarë na pret në horizont se sa në data, si edhe në cilësinë e procesit të reformave. Sundimi i së drejtës vjen i pari, por siç e dimë shumë mirë, nuk ka sundim të së drejtës pa zhvillim ekonomik dhe nuk ka zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa sundim të së drejtës. Prandaj është e rëndësishme si për BE ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor të vendosin një barazpeshë midis këtyre dy komponentëve të strategjisë.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00