Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta zhvillon vizitë zyrtare në Bruksel

Me 6 dhjetor 2016, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, zhvilloi vizitë zyrtare në Bruksel gjatë së cilës zhvilloi takime me autoritete të Larta në institucionet europiane. 

***

Kryetari i Kuvendit, z. Meta u prit nga Presidenti i Parlamentit Europian, z. Martin Schulz, me të cilin vlerësuan progres-raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Në këtë takim z. Meta shoqërohej edhe nga Ministrja për Integrimin Europian, znj. Klajda Gjosha.

Kryetari Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme dhe të pandalur të Parlamentit Europian ndaj avancimit të procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe ndaj perspektivës europiane të Ballkanit, duke nënvizuar se kjo perspektivë i shërben paqes e stabilitetit rajonal, dhe veçanërisht sigurisë mbarë-europiane.

Presidenti Schulz, pasi vlerësoi progresin e Shqipërisë në avancimin e saj drejt hapjes së bisedimeve me BE-në, e falënderoi Kryetarin Meta për rolin e tij në shërbim të stabilitetit dhe dialogut të brendshëm politik si dhe në interes të marrëdhënieve të mira në rajon.

Në këtë drejtim z. Schulz theksoi se mungesa e bashkëpunimit politik dhe polarizimet e panevojshme në skenën e brendshme politike shqiptare, dëmtojnë integrimin e vendit.

Z. Meta u shpreh se stabiliteti i vendeve të Ballkanit dhe integrimi i tyre në BE frymëzon ndryshime thelbësore politike e sociale në secilin vend, ndaj është e rëndësishme që perspektiva evropiane e tërë rajonit të jetë e qartë dhe e sigurt.

Në këtë kontekst, z. Meta theksoi se Kuvendi do vazhdojë të mbështesë fort e pa vonesa zbatimin e reformës kyçe në drejtësi, dhe shprehu mirënjohjen për mesazhet inkurajuese të Presidentit Schulz gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë si dhe për kontributin e vyer të eurodeputetëve Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, të cilët kanë qenë instrumentalë në inkurajimin e konsensusit dhe dialogut politik në Shqipëri në mbështetje të reformës në drejtësi dhe ligjit të dekriminalizimit.

Në përfundim z. Meta dhe z. Schulz biseduan për thellimin e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Europian, duke vënë theksin në mbështetjen që u duhet ofruar të rinjve shqiptarë në rritjen e kapaciteteve të tyre profesionale dhe në eksperiencën që mund të përfitojnë në institucionet e Parlamentit Evropian.

Kryetari Meta nënvizoi se Shqipëria “mbështetet në përkrahjen tuaj dhe të Parlamentit Europian për të avancuar perspektivën europiane të tërë Ballkanit”.

***

Në takimin e zhvilluar me z. Gianni Pittella, President i Grupit Parlamentar të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlament Europian, Kryetari i Kuvendit, z. Meta falënderoi për mbështetjen e fuqishme të Grupit Socialdemokrat në PE ndaj integrimit europian të Shqipërisë dhe në shërbim të perspektivës europiane të Ballkanit, si mundësia e vetme që forcon stabilitetin, prosperitetin dhe sigurinë në rajonin tonë.

Presidenti Pittella duke vlerësuar rekomandimin pozitiv të Komisionit për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë, shprehu mbështetjen e tij dhe të grupit socialdemokrat për të avancuar në këtë drejtim.

Z. Meta u shpreh se në Kuvendin e Shqipërisë është arritur progres substancial gjatë këtyre viteve, duke vënë në dukje miratimin konsensual të reformës në drejtësi, ligjin e dekriminalizimit dhe përmirësimin e transparencës dhe rolit mbikëqyrës së Kuvendit. Kuvendi e ka lexuar me vëmendje progres-raportin dhe mbetet i përkushtuar për reflektimin e rekomandimeve të Komisionit, ku kryefjalë do të jetë  mplementimi i reformës në drejtësi si një nevojshmëri për qytetarët shqiptarë. Në këtë drejtim u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e eurodeputeteve socialdemokratë në Parlamentin Europian, të cilët kanë qenë gjithnjë në avangardë të zgjerimit të BE-së dhe integrimit të vendeve të Ballkanit.

***

Gjatë takimit me z. David Maria Sassoli, Zv. President i Parlamentit Europian dhe Kryetar i Grupit të Miqësisë ‘BE-Shqipëri’, Kryetari i Kuvendit Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian. Duke vlerësuar themelimin e Grupit të Miqve të Shqipërisë, u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë mbështetet te përkrahja e eurodeputetëve anëtare të grupit të miqësisë.

Zv.Presidenti Sassoli vuri në dukje se ‘Shqipëria ka bërë progress të madh dhe do të ketë mbështetjen tonë të plotë në Parlament Europian për avancimin e rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Europian’.  

Në këtë kuadër, z. Meta theksoi se Kuvendi mirëpret vendimin e Këshillit Europian, duke nënvizuar se aktiviteti parlamentar është fokusuar në reflektimin e rekomandimeve të progres-raportit të Komisionit Europian.

Duke biseduar mbi zhvillimet në rajon, z. Sassoli vuri në dukje se Shqipëria është çelës stabiliteti në Ballkan dhe ndau bindjen e përbashkët me z. Meta se avancimi i perspektives evropiane të vendit i shërben edhe të ardhmes së vendeve të tjera në rajon.

Pas takimit, Kryetari i Kuvendit, z. Meta zhvilloi në Parlament Europian edhe një drekë pune me eurodeputetë anëtarë të grupit të miqve të Shqipërisë.

***

Në përfundim të vizitës se tij në Bruksel, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta, shoqëruar prej Ministres së Integrimit Evropian, znj. Klajda Gjosha, u pritën nga Komisioneri Europian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Johannes Hahn.

Kryetari i Kuvendit, Meta i shprehu mirënjohjen e thellë Komisionerit Hahn për punën e palodhur të Komisionit në hartimin e raportit të fundit për Shqipërinë si dhe për rekomandimin pozitiv në mbështetje të çeljes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Z. Meta nënvizoi se “Shqipëria shpreson që edhe Këshilli të ndajë të njëjtin opinion me Komisionin, gjatë mbledhjes së tij të ardhshme gjatë këtij muaji”.

Z. Meta e falënderoi gjithashtu Komisionerin Hahn për rolin e tij personal dhe mbështetjen kyçe ndaj arritjes së konsensusit në miratimin e paketës kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë, duke shtuar njëkohësisht se konsensusi ishte kyç për legjitimitetin e reformës dhe se Kuvendi mbetet tërësisht i angazhuar për avancimin me implementimin e saj pa vonesa gjatë javëve në vazhdim.

Komisioneri Evropian për Zgjerimin, z. Johannes Hahn, u shpreh se Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në përmbushjen e prioriteteve dhe e falënderoi Kryetarin Meta për mbështetjen e tij të vazhdueshme gjatë miratimit konsensual në Kuvend dhe në fazën e zbatimit me sukses të reformës në sistemin e drejtësisë, e cila është kyçe për integrimin europian të vendit.

Z. Hahn theksoi se suksesi i reformës së drejtësisë dhe ligjit të dekriminalizimit në Shqipëri do të prodhojë lajme të mira për gjithë rajonin e Ballkanit, i cili ka nevojë për momente pozitive.

Kryetari Meta dhe Komisioneri Hahn biseduan në përfundim mbi zhvillimet e fundit në rajon ku u theksua veçanërisht rëndësia e Procesit të Berlinit dhe ajo e avancimit të dialogut me rezultate të prekshme mes Kosovës e Serbisë, si dhe rëndësisë së madhe të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të ardhshme në Maqedoni.

Duke vlerësuar rolin tradicional pozitiv të Shqipërisë në rajon, z. Meta dhe z. Hahn ndanë bindjen e përbashkët se Ballkani ka nevojë për forcim të stabilitetit, ndërlidhjes dhe sigurisë, dhe në këtë kontekst marrëdhëniet solide të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal duhet të shkojnë vetëm drejt forcimit dhe intensifikimit me të gjithë fqinjët dhe vendet e tjera të rajonit.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00