Kryeministri Edi Rama priti në takim Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk

Kryeministri Edi Rama priti takim 22 nëntor 2015, Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk. përfundim takimit, Kryeministri Rama dhe Presidenti i KE Tusk dhanë një deklaratë përbashkët për shtyp, ambientet e Kryeministrisë.

vijim, fjala e kryeministrit Edi Rama:

Përshëndetje!

Ishte për ne sot, një paradite e shënuar, falë pranisë Presidentit Këshillit Europian Donald Tusk, i cili është sot Tiranë për diskutuar për sfidat e përbashkëta dhe natyrisht dhe për sfidën e vendit tonë procesin e integrimit.

Padyshim që kemi diskutuar edhe për kasaphanën  e Parisit, e cila ishte një akt lufte, i barbarisë që bashkësia e terroristëve xhihadistë  i shpalli jo thjesht Francës, as vetëm botës demokratike. Një akt i mirëfilltë lufte ndaj mbarë botës që jeton mbi bazë zgjedhjesh shoqërore dhe njerëzore të ndryshme, por që s’ka asgjë të përbashkët me zgjedhjen çnjerëzorë të xhihadizmit.

Në masakrat e Parisit më 13 nëntor, terrorizmi islamik e uli shënjestrën nga lartësia e monumenteve dhe simboleve të qytetërimit modern demokratik, tek lartësia e njerëzve të zakonshëm në hapësirën e jetës së tyre të përditshme.

Tanimë, askush, askund matanë perçeve dhe rrobave të zeza të shkretëtirës shpirtërore që solli erën e gjakut në rrugët e Parisit nuk është i sigurtë. Ky është mesazhi që na përcollën terroristët natën e 13 nëntorit dhe kjo është dhe sfida jonë në radhë të parë me vetveten.

Kur them sfida jonë kam parasysh botën e lirë të cilës ne i përkasim, familjen europiane dhe euroatlantike. Sepse mostra gjakatare e xhihadizmit synon që përmes terrorit të imponohet për së pari shoqërisë së vendeve demokratike, ku bën pjesë dhe Shqipëria jonë. E vogël, por e vendosur në zgjedhjen e saj për të qenë një shoqëri e lirë demokratike dhe një vend pjesëtar i NATO-s dhe i Europës së bashkuar.

Ajo çka kjo mostër kërkon, duke derdhur gjak të pafajshëm në zemrën e Europës është që të na kallë datën dhe të na detyrojë të mos jemi më ata që jemi. Të na detyrojë të udhëhiqemi nga frika, jo nga ëndrrat dhe shpresat, sapo çelim e derisa mbyllim sytë. Të na detyrojë të këshillohemi nga pasiguria, jo nga ambicia për familjen, për komunitetin, për vendin tonë. Të na detyrojë të tërhiqemi mbrapsht nga ankthi i mbijetesës dhe jo të nxitemi përpara nga mundësitë që na jep liria për ta bërë jetën tonë më të mirë.

Bashkësia terroriste kërkon të na e kthejë përmbysë ngrehinën e vlerave të jetës dhe të bashkëjetesës sonë.

Kërkon të na strukë pas perçes dhe brenda rrobave të zeza të frikës për të na imponuar tjetërsimin e vetvetes.

Kërkon të na mbyllë ndaj të tjerëve dhe të na nxijë jetën, duke na kthyer në qenie dhe në vende që gjallojnë pa forcën e vlerave dhe normave të bashkëjetesës, që mbajnë gjallë gjithë qytetërimin tonë. Por, historia ka njohur mortje edhe më të mëdha sesa kjo shkretëtirë shpirtërore e mishëruar në trupa njerëzish të mbuluar në të zeza që përçudnojnë fenë për t’ju dhënë emrin e fesë akteve të tyre të mizore, mbi njeriun dhe mbi trashëgiminë kulturore të njeriut mbi tokë.

Edhe kjo do të ketë fundin që patën të tjerët përpara saj. Ne shqiptarët do të vazhdojmë të qëndrojmë me besim të plotë në anën e duhur të historisë si pjesë e Europës së bashkuar, e aleancës së madhe të së mirës, kundër së keqes.

Ajo që ndodhi në Francë dhe që vazhdon të ndodhë përditë në formën e kërcënimeve apo të marrjes së masave mbrojtëse kundër terrorizmit duhet që në radhë të parë të mos lejojmë të na prekë njeriun brenda nesh. Vlerat që na kanë përcjellë të parët tanë apo që mishëron bota që kemi zgjedhur. Normaliteti në jetesën e familjes sonë, familjes sonë të vogël dhe po ashtu familjes sonë të madhe, qoftë familja shqiptare, qoftë familja europiane.

S’ka vend për panik.

S’ka vend për frikë.

S’ka vend për të ndryshuar asgjë në rendin e ditës sonë.

Shqipëria nuk është as më shumë dhe as më pak e kërcënuar sesa vendet e tjera.

Jeta vazhdon dhe secili prej nesh duhet ta jetojë atë përditë pa rënë pre e pasigurisë që duan ta kallin në zemrat dhe në mendjet tona ushtarët e shkretëtirës pa zot. Në Shqipëri është marrë çdo masë e mundshme edhe pse askush, askund në botën, të cilës i përkasim nuk mund të jetë jashtë rrezikut. Jeta duhet të vazhdojë normalisht. Sepse s’ka absolutisht asnjë arsye të veçantë, asnjë fakt apo informacion të caktuar që ne në Shqipëri të ndjehemi më të kërcënuar sesa të gjithë të tjerët.

Më vjen jashtëzakonisht mirë dhe i ndjehem krejtësisht mirënjohës, ashtu siç jam shumë i nderuar që Presidenti i Këshillit Europian, miku im Donald Tusk na vizitoi sot.

Folëm edhe për përballimin e rrezikut terrorist, por edhe për krizën e refugjatëve dhe rolin e Ballkanit si pjesë e Europës në këtë krizë. Natyrisht u ndalëm gjerë e gjatë dhe tek Shqipëria në këtë moment të rëndësishëm për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, pas daljes së raportit të Komisionit dhe në pritje të konkluzioneve të Këshillit të dhjetorit, mbi zgjerimin. Çdo krizë është dhe një mundësi e re dhe kjo duhet të vlejë edhe për procesin e zgjerimit në Bashkimit Europian.

Sot më shumë se asnjëherë është e qartë, se jo vetëm Ballkani ka nevojë për Bashkimin Europian, por po aq nevojë ka dhe Bashkimi Europian për Ballkanin. BE-ja nuk mund të vijojë ta shohë integrimin e plotë të Ballkanit në gjirin e saj si inerci të politikës tradicionale të zgjerimit, ta quajë pak si pjesë të lojës elektorale nëpër vendet anëtare.

Por sidoqoftë Shqipëria e ka shumë të qartë, se përtej nevojës për një qasje të re dhe të guximshme të BE-së ndaj Ballkanit, vendi ynë duhet të bëjë me përpikmëri detyrat e procesit të integrimit, të cilat, do ta përsëris gjithmonë, ne i kemi bërë dhe do vazhdojmë t’i bëjmë, jo sepse na i kërkon Brukseli, por sepse i imponon e mira e fëmijëve tanë.  

Jam i kënaqur që dhe sipas nënvizimit të bërë nga Brukseli, por dhe nga Presidenti Tusk sot raporti i Komisionit i këtij viti për Shqipërinë është një vlerësim shumë pozitiv për progresin e qëndrueshëm të vendit përgjatë këtij viti reformash të thella dhe betejash të rëndësishme modernizuese. Unë e theksova dhe e ritheksoj se progresi i njohur qartësisht nga Komisioni Europian që shpresojmë të konfirmohet në dhjetor nga Këshilli Europian duhet të shërbejë si nxitje për hapjen e negociatave të anëtarësimit vitin e ardhshëm. Negociata të cilat, në kontekstin e kohës së krizave që kalojmë janë strategjike për Shqipërinë dhe shqiptarët në tërësi, por dhe për Ballkanin dhe për vetë BE. Si të tilla nuk mund të jenë peng taktikash politike, të cilitdo vend anëtar apo të inercisë së procesit, jashtë kontekstit të kohës.

Vullneti i kësaj qeverie nënvizohet qartë në tre fjalitë e para të raportit të Komisionit dhe sigurisht ne e kemi të qartë që fjala kyçe është reforma në drejtësi.

Unë e kam falënderuar Presidentin shumë sinqerisht për mbështetjen e plotë që BE, së bashku me SHBA-të i japin procesit të reformës, që nga dita e parë.

Jam shumë besimplotë që falë mbështetjes së tyre deri në fund ne do t’ia dalim që të kalojmë një reformë që do të jetë historike për transformimin e sistemit të drejtësisë, por dhe për rrugën e  Shqipërisë drejt BE.

Së fundi, Shqipëria nuk është prekur nga kriza e refugjatëve, nuk është pjesë e korridorit ku kalon fluksi i refugjatëve. Por siç e kemi thënë qysh në krye të herës, me dimrin dhe njëkohësisht edhe më ndërveprimin shpeshherë të munguar mes vendeve, Shqipëria mund të preket. Megjithatë preket apo nuk preket, qëndrimi i Shqipërisë ka qenë dhe është i qartë. Ne nuk jemi europianë, vetëm për ditë të mira. Ne jemi europianë edhe në ditë të këqija.

Ndryshe nga shumë europianë që harrojnë që janë europianë kur përballen në ditë të këqija me fenomene, si fenomeni i krizës së refugjatëve, ne jemi të vendosur që të jemi pjesë e çdo projekti dhe plani europian, për të kontribuar sadopak modestisht në zbutjen e efekteve të kësaj krize, nga ana humanitare dhe nga ana politike për BE.

Pra, edhe pa qenë anëtar, edhe pa hapur akoma negociatat, ne dimë të sillemi si europianë edhe më mirë sesa europianët.

 

http://www.kryeministria.al/al/newsroom/lajme/shqiperia-krah-be-per-sfid...

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00