Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Ambasadores së Delegacionit të BE në Tiranë, Romana Vlahutin, pas dorëzimit të Progres-raportit për Shqipërinë

Progres-raporti i KE vlerësim reformave. Gati për avancimin e reformave integruese:

Pata kënaqësinë takoj ambasadoren e Bashkimit Europian, e cila dorëzoi Progres-raportin e sivjetshëm Komisionit Europian për Shqipërinë, vlerëson reformat e kryera përgjatë një viti, por sipas metodologjie re vlerësimi aplikohet për herë parë këtë herë, edhe terma gatishmërisë vendeve dhe këtë rast vendit tonë, për anëtarësim.

një këndvështrim sintetik do doja nënvizoja se kriterin politik vlerësohet shprehja e vullnetit dhe vazhdimi i përpjekjeve për ndërmarrjen dhe zbatimin e reformave.

Për ne është e qartë dhe ky Progres-raport e konfirmon se rruga për hapjen e negociatave kalon nëpërmjet reformës në drejtësi, e cila mbetet sot, sfida më e madhe jo vetëm e kësaj shumice qeverisëse, por e shoqërisë shqiptare dhe e shtetit tonë në rrugën drejt anëtarësimit drejt Bashkimit Europian.

Ndaj mendoj se për rëndësinë, sa dhe për kompleksitetin e  saj meriton të adresohet së pari, si një konstatim mbi prioritetin dy, ku vlerësohet ecuria e mirë në përgatitjen e reformës në drejtësi dhe angazhimi për të siguruar një reformë gjithëpërfshirëse dhe të thellë. E nënvizova këtë për të gjithë ata, të cilët synojnë të thonë të kundërtën dhe në fakt mungojnë në këtë thirrje kombëtare, për të realizuar këtë reformë me rëndësi historike dhe kombëtare për vendin tonë.

Progres-raporti rekomandon në mënyrë prioritare përfundimin në kohë të reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi, që do të thotë, në këndvështrimin tim, nëse reforma në drejtësi do të mbyllet pa humbur kohë të çmuar dhe duke e adresuar fuqimisht në muajt në vijim, atëherë, rruga jonë për negociatat është e hapur.

Nga ana tjetër, në Progres-raport është e qartë se kjo lidhet ngushtësisht me konsolidimin e rezultateve, ku theks të veçantë kanë hetimet, gjykimet dhe ndëshkimet, pra, i gjithë zinxhiri i pushtetit gjyqësor në Shqipëri.

Për sa na takon, as këtë reformë dhe asnjë nga reformat që kemi ndërmarrë, ne nuk e shohim si detyrë që na e ka vënë Brukseli, por si detyrë e shtuar përpara nesh nga fëmijët tanë, nga gjenerata tjetër, të cilës nuk mund t’i trashëgojmë një pushtet të kalbur gjyqësor, kalbëzimi i të cilit ka pasoja në të gjithë sferën e jetës së vendit.

Përsa i përket prioriteteve të tjera, Komisioni ka vlerësuar pozitivisht reformat e ndërmarra. Ne jemi të kënaqur për këtë fakt, por vëmendja jonë, vullneti ynë dhe vendosmëria jonë për t’i çuar përpara të gjitha këto reformat është zgjedhja jonë, nuk është imponim as i Brukselit dhe as i kujt tjetër.

Duke u kthyer tek prioriteti i parë, - e fillova me prioritetin e dytë, pasi aty nënvizohet kyçi i procesit që është reforma në drejtësi - ne konstatojmë se angazhimi ynë për të mbyllur një epokë në një administratë të diskretituar, jo profesionale, të stërpolitizuar dhe të  stërkorruptuar dhe për të hapur një epokë të ndërtimit të një administrate profesionale dhe të pavarur vlerësohet qartësisht në këtë raport, ku theksohet ecuria e mirë dhe reforma solide e administratës publike. Çka faktikisht e bën këtë prioritet, prioritetin me vlerësimin më të lartë dhe çka hedh poshtë të gjitha akuzat dhe shpifjet sistematike në këtë drejtim.

Megjithatë, ne jemi larg së qeni të kënaqur me mënyrën si funksionon sot, administrata publike dhe ambicia jonë është që këtë administratë ta përgatisim duke e rritur cilësisht, qoftë për të përballuar me sukses nevojën parësore të qytetarëve shqiptarë për të pasur një shërbim të denjë nga administrata publike e këtij shtetit, qoftë për të përballuar me sukses, procesin aspak të lehtë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në prioritetin e tretë vlerësohet ecuria e deritanishme e masave antikorrupsion. Por ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se në kuadër të zbatimit të politikave antikorrupsion dhe të jetësimit të reformave dhe të masave kundër korrupsionit kërkohen rezultate që kanë të bëjnë edhe një herë, me hetimin, me gjykimin dhe me dënimin në të gjitha nivelet, gjë që na kthen prapë tek fjala kyç që lidhet për së pari, me reformën në drejtësi.

Realizimi i reformës në drejtësi do të çeli një fazë tërësisht të re, duke krijuar kushtet për të pasur hetime të besueshme dhe cilësore, gjykime të drejta dhe dënime të merituara në të gjitha nivelet dhe posaçërisht në nivelin e zyrtarëve të lartë.

Në prioritetin e katërt ka një vlerësim që dua ta nënvizoj, pasi edhe këtu shoh një përgjigje të qartë dhe kuptimplotë për të gjitha akuzuat dhe shpifjet sistematike ndaj Policisë së Shtetit dhe ndaj arritjeve në goditjen e krimit të organizuar dhe siç nënvizon Raporti, veçanërisht në goditjen e trafikut të drogës. Por edhe këtu, me të drejtë kërkohet të shkohet më tej, për të pasur rezultate të qëndrueshme në hetim, në gjykim dhe në dënim. Pra, përsëri kthehemi tek fjala kyç, reforma në drejtësi, si parakushti për të siguruar qëndrueshmëri dhe progres në të gjithë aspektet e shtetndërtimit dhe e konsolidimit të shtetit ligjor në Shqipëri.

Në prioritetin e pestë vlerësohet standardi legjislativ për mbrojtjen e të drejtave themelore si gjerësisht në përputhje me standardet europiane, por nënvizohet për të kush e di se satin herë, në të kush e di se satin vit, domosdoshmëria  për të adresuar çështjen e pronës. Një çështje që kjo qeveri ka krenarinë  që të jetë e para që e adreson, njësoj siç kemi adresuar të gjitha problematikat e trashëguara në çdo sektor, me vizion, me vendosmëri dhe me drejtësi.

Reforma e pronës është në parlament. Përfundimi i saj në kohë do të realizojë një ndarje të prerë nga e kaluara, që na ka lënë në kurriz male të tëra me dosje për gjykim në Gjykatën e Strasburgut, prej ku prej vitesh vazhdojnë të vijnë fatura të kripura, që janë kosto që taksapaguesit shqiptarë duhet t’ua paguajnë politikave dritëshkurtra dhe qeverive pa vizion, pa vullnet dhe pa asnjë sens drejtësie, që kemi pasur deri në qershorin e 2013-s.

Në fushën e lirisë së shprehjes vijon në mënyrë të njëtrajtshme një ecuri pozitive e vitit të shkuar, por me të drejtë kërkohet më shumë vëmendje, për të siguruar pavarësinë e autoritetit rregullator dhe të transmetuesit publik. Një transmetues publik apo një kanal i informacionit publik, i cili është peng i të shkuarës dhe inercinë e kësaj të shkuare, që ne e kemi pranuar në emër të kërkesës për konsensus, e shohim sot si një pengesë reale dhe nuk kemi sot, gojë të flasim për gjendjen skandaloze të RTSH. Do të veprojmë menjëherë dhe do të veprojmë ashtu siç dimë të veprojmë ne.

Nuk po zgjatem me politikën tonë të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, që vazhdojnë të jenë të vlerësuara lart, si në të njëjtën linjë me ato të Bashkimit Europian. Faktikisht, këtë e shohim si një unifikim me BE, në një kornizës vlerash dhe standardesh, me të cilat Shqipëria është identifikuar prej kohësh. Roli ynë në bashkëpunimin rajonal është një pikë e rëndësishme reference dhe partneriteti me Bashkimin Europian.

Shohim me kënaqësi se në raport ka një vlerësim pozitiv të gjendjes së vendit në aspektin e qëndrueshmërisë makroekonomike, si dhe në veçanti për operacionin kundër informalitetit dhe për reformimin e sistemit të tatimeve, që janë dy aspekte shumë të rëndësishme të punës së madhe, këmbëngulëse, ende të pambaruar, që ne kemi bërë.

Ne jemi të vetëdijshëm dhe të angazhuar për të adresuar edhe çështjen e borxhit publik, si dhe për të vazhduar të përparojmë në fushën e energjisë. Në të dyja këto aspekte kemi  ndërmarrë reforma të thella, të guximshme dhe fatmirësisht, të mbështetura nga publiku, megjithëse rëndom të anatemuara nga “kënetat mediatike” të atyre që kanë interesa të drejtpërdrejta dhe që preken drejtpërdrejtë në interesat e tyre nga këto reforma.

Para pak minutash, mbaroi konferenca e përbashkët me FMN-në. Nënshkrimi i marrëveshjes për të vazhduar programin me FMN është përgjigja më e qartë dhe kuptimplotë për të gjithë ata që njohin vetëm rrugën e përbaltjes, të shpifjesh dhe të akuzave, qoftë lidhur me të ardhurat, qoftë lidhur me taksat, qoftë lidhur me investimet, qoftë lidhur me borxhin, qoftë lidhur me rritjen ekonomike.

Sot, ne jemi në ditët e një jave, pra, nga mesjava e shkuar e deri më sot, shumë pozitive për ekonominë. Nga një anë kemi emetuar një eurobond nga ku kemi marrë një përgjigje përtej pritshmërive nga tregjet financiare ndërkombëtare, e cila vjen si rezultat i besimit që Shqipëria ka krijuar në këto tregje, me këto reforma.

Ky eurobond ka lehtësuar jashtëzakonisht shumë pozicionin tonë, për të vazhduar me reformat. Nga ana tjetër kemi marrë një marrëveshje me FMN, - ndryshe nga çfarë shpifnin, akuzonin dhe përbaltnin për ditë të tëra, ata të “kënetave mediatike”, - pa rritje taksash, përkundrazi, me ulje taksash për një numër të caktuar biznesesh që janë në pjesën më të ulët të të gjithë piramidës së kontributorëve, pa ulje investimesh publike, pra, pa prekur llogarinë kapitale dhe duke vazhduar uljen graduale të borxhit, si dhe përmirësimin drastik të të dhënës, jo shumë të ndjeshme apo të prekshme për publikun, por shumë të rëndësishme për stabilitetin makroekonomik, të deficitit.

Ne nuk jemi një vend që negocion me Bashkimin Europian, por mjafton një vështrim mbi të gjithë Raportin  e progresit mbi rajonin, për të parë një të dhënë shumë të thjeshtë, Shqipëria është në të njëjtin nivel. Pra, nuk është një vend që përkundër prioriteteve dhe të dhënave që jep ky Raport, të rezultojë siç mund të rezultonte, pasi është vetëm kandidat. Nëse të tjerët kanë hapur negociatat dhe po negociojnë për anëtarësim, nuk janë asnjë centimetër më përpara nesh, përkundrazi, jemi në të njëjtin nivel, me një dallim që është se ne, reformën në drejtësi e kemi në embrion. Na duhet ta çojmë përpara, na duhet ta kalojmë dhe pastaj nuk ka asnjë dyshim se i kemi hapur vetes, i kemi hapur fëmijëve tanë, rrugën e negociatave në Bashkimin Europian. 

 

Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin: 

Mirëdita! Pata kënaqësinë që ti dorëzoja zotit kryeministër raportin e vitit 2015 për Shqipërinë, i cili u miratua më herët, sot.

Komisioni Europian iu është shumë mirënjohës autoriteteve dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për kontributin që kanë dhënë ata për procesin. Unë dëshiroj tu falënderoj juve pasi ju e keni ndjekur këtë proces kaq mirë dhe po vazhdoni ta ndiqni atë.

Nëse do të duhej që ta përmblidhja raportin me një frazë, unë do të thosha diçka, që ju e keni dëgjuar nga komisioneri Hahn, - që është një progres shumë i qëndrueshëm që ka bërë Shqipëria për prioritetet kyçe që do të çojnë në çeljen e negociatave për anëtarësim.

Nuk ka pasur pauzë, nuk ka pasur kthim prapa në përpjekjet që janë bërë për të zbatuar axhendën e reformave për BE dhe ne ju përgëzojmë për këtë angazhim.

U ndërmorën një sërë reformash, të cilat janë ende duke vazhduar. Ky është një proces shumë impenjativ dhe gjithëpërfshirës dhe ne kemi ende disa sfida shumë serioze përpara.

Përsa i përket zhvillimeve pozitive dëshiroj që të përmend disa prej tyre, si p.sh. progresi apo përparimi që është bërë në administratën publike, miratimi i ndarjes së re territoriale administrative, strategjia e decentralizmit, miratimi i kuadrit strategjik dhe planit të veprimit për luftën kundër korrupsionit, bashkëpunimi i mirë ndërkombëtar për luftën kundër drogës dhe trafikimit të lëndëve narkotike, reforma për menaxhimin financiar publik, rregullimi i tregut të energjisë, veprimet e ndërmarra kundër informalitetit.

Raporti njeh qartë përparimin e rëndësishëm që ka bërë Shqipëria në aspektin rajonal, për arsimin, transportin, dhe infrastrukturën  e energjisë. Po ashtu progres është parë edhe në përmirësimin e stabilitetin makroekonomik dhe  rritjes ekonomike. Inflacioni ka mbetur i ulët.

Dëshiroj të theksoj faktin që ne vlerësojmë shumë mbështetjen e qëndrueshme të Shqipërisë dhe përafrimin e Shqipërisë me BE, përsa i përket politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE. Ne e shikojmë Shqipërinë si një partner të fortë për ne.

Ky raport e tregon fare qartë, gjëja më e rëndësishme është reforma në gjyqësor. Në rast se lexohet me kujdes lista e sfidave, ajo që ka të bëjë me prioritetet kyçe është e qartë që shumicë e tyre ka të bëjë me shtetin e së drejtës, me funksionimin ligjit dhe të sistemit gjyqësor. Një rëndësi e veçantë i jepet nevojës për të pasur  një historik të besueshëm që do të thotë hetime, ndjekje penale dhe natyrisht dënimi i atyre që merren me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet.

Prioritetet për sa i përket të ardhmes janë identifikuar qartë. Siç e përmenda është miratimi i suksesshëm i të gjithë paketës së reformës në gjyqësor dhe kjo do të jetë kyçe për një opinion pozitiv për çeljen e negociatave në të ardhmen, natyrisht duke patur edhe një historik të qëndrueshëm. Se dyti ,është zbatimi i plotë i  legjislacionit të shërbimit civil dhe  natyrisht menaxhimi i fuqizuar i financave publike. Së treti, një qasje më sistematike për mbrojtjen e të drejtave thelbësore, sidomos ato që anë të bëjnë me dhunën në familje, me sistemin penal me mbrojtjen e fëmijëve të komunitetit rom dhe me rendësi të veçantë është rregullimi i të drejtave të pronësisë.

Përveç 5 prioriteteve kyçe, është shumë e rëndësishme të përfundohet miratimi i legjislacionit që ka të bëjë me integritetin e personave apo individëve që kërkojnë të kenë një post publik dhe të siguroheni që ju do ti ndiqni të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet. Përsa i përket qeverisjes ekonomike duket bërë punë me e madhe për  konsolidimin fiskal për mjedisin  biznesit dhe ekonominë informale. Si e e thashë ne i kemi parë të gjithë gjërat që keni bërë dhe ju mbështesim në këtë drejtim.

Po ashtu në mënyrë që të përmirësohet konkurrueshmëria e Shqipërisë, duhet të bëhen investime shumë të rëndësishme për kapitalin njerëzor dhe fizik, Nuk jeni të vetëm këtë . Duhet ta dini që BE ka fonde IPA të konsiderueshme për t’ju ndihmuar. 

Ne shpresojmë që ky raport do të shërbejnë si një mjet i dobishëm për të matur ecurinë, progresin, përparimin që duhet në rrugëtimin në rrugën drejt BE-së. Kjo është një punë që do të vazhdojë të bëhet, por synimi përfundimtar është i qartë, objektivi është që duhet të ketë standarde europiane për qytetarët shqiptarë dhe për të ardhmen e tyre në Bashkimin Europian. Për këtë do të duhen disa vendime të rëndësishme dhe të vështira në të ardhmen, por edhe përgjegjësi shumë e madhe nga të gjithë ata që marrin pjesë në procesin vendimmarrës.

Në përmbledhje, ky është një raport i mirë, shumë është bërë, ende shumë mbetet për të bërë, kështu që le të ecim tani përpara dhe të kalojmë tek faza tjetër.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00