Bushati – Stenlund: Finlanda, rol mbështetës në perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe rajonit

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, priti sot në një takim Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, Peter Stenlund.

Gjatë takimit, ministri Bushati njohu Stenlund me progresin e vendit në fushën e reformave, adresimin e pesë prioriteteve kyçe, me fokus reformën në drejtësi dhe zbatimin e procesit të Vettingut, si dhe pritshmëritë në lidhje me vendimmarrjen mbi hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë këtij viti.

Nga ana e tij, Sekretari i Shtetit Stenlund nënvizoi rolin mbështetës të Finlandës për procesin e zgjerimit dhe përpjekjet e Shqipërisë në këtë kontekst. Në kuadër të përgatitjeve të Finlandës për presidencën finlandeze të Këshillit të BE-së në vitin 2019, Sekretari i Shtetit Stenlund vlerësoi rëndësinë që ka mbështetja e perspektivës së qartë evropiane për rajonin dhe Shqipërinë.

Duke u ndalur tek sfidat me të cilat përballet Bashkimi Evropian, Stenlund theksoi se anëtarësimi i vendeve në BE ka të bëjë jo vetëm me përgatitjen e tyre, por dhe me komunikimin mes vendeve anëtare për këtë qëllim. Duke nënvizuar se vlerësimi do të bëhet bazuar në meritë, ministri Bushati dhe Sekretari i Shtetit Stenlund ndanë mendimin për nevojën e nxitjes së shpirtit politik të procesit të zgjerimit.

Duke vlerësuar Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian, ministri Bushati theksoi rëndësinë e pasurimit të saj me mekanizmat e nevojshëm, përfshirë ato financiarë për vendet e rajonit, me qëllim përgatitjen e tyre për anëtarësim dhe ngushtimin e diferencave mes tyre dhe vendeve të Evropës Lindore, anëtare të BE-së.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen gjithashtu mendime në lidhje me situatën e sigurisë në rajonet përkatëse, sfidat në përballjen me to dhe koordinimin e përpjekjeve për këtë qëllim.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00