Bushati – Francken: Hapja e negociatave për anëtarësim është dëshmi e rëndësisë së rajonit në BE

Në datën 19 prill 2018, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati, priti në një takim Sekretarin belg të Shtetit për Azilin dhe Migracionin, z. Theo Francken.

Ministri Bushati dhe Sekretari i Shtetit Francken vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, çka shprehet dhe në shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë, përfshirë vizitën e pritshme së shpejti në Tiranë të Kryeministrit belg Charles Michel.

Duke vlerësuar raportin e Komisionit evropian, MEPJ Bushati theksoi se rekomandimi i qartë i Komisionit Evropian është njohje e progresit të bërë në adresimin e 5 prioriteteve kryesore. Vendimi për hapjen e negociatave do të jetë një nxitje e mëtejshme për zbatimin e reformave të ndërmarra, përfshirë reformën në fushën e drejtësisë, ndërsa procesi i negociatave do të jetë orientues dhe mbështetës për proceset transformuese të vendit, theksoi Ministri Bushati. Ministri nënvizoi rëndësinë dhe vëmendjen që qeveria shqiptare i kushton forcimit të shtetit ligjor, luftës kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm, si dhe bashkëpunimin e ndërtuar në këtë drejtim me vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Sekretari i Shtetit Theo Francken, përcolli urimet për rekomandimin e bërë nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim, dhe duke ju referuar vizitës së kryeministrit belg në rajon, e cilësoi atë dëshmi të rëndësisë që Rajoni, përshirë Shqipërinë, ka për Belgjikën dhe BE-në. Duke u ndalur tek fenomeni i azil kërkimit, z. Francken vlerësoi bashkëpunimin shume të mirë me autoritetet shqiptare në adresimin e këtij fenomeni. Ai e njohu Ministrin Bushati me masat e marra nga qeveria belge për adresimin e fenomenit të azil kërkimit të paligjshëm dhe nënvizoi se gjatë takimeve që kishte zhvilluar dhe do të zhvillonte gjatë vizitës së tij po diskuton për mënyrën e intensifikimit dhe konkretizimit të mëtejshëm të veprimeve me autoritetet shqiptare me qëllim reduktimin e kërkesave për azil. Belgjika e konsideron Shqipërinë vend të sigurt dhe kërkesat për azil janë të pabazuara e si të tilla do të refuzohen, u shpreh z. Francken. Sekretari i Shtetit nënvizoi se qytetaret shqiptare janë të mirëpritur të vizitojnë Belgjikën bazuar dhe në respekt të rregullave që kërkon lëvizja e lire, duke shmangur në ketë mënyrë ndalimet në kufi apo penalizmin për qëndrim të paligjshëm, i cili ndëshkohet me ndalim hyrje 5 deri në 8 vjet në Belgjikë dhe në zonën Shengen.

Ministri Bushati e njohu z. Francken me masat e marra nga qeveria shqiptare për adresimin e fenomenit dhe rikonfirmoi vullnetin politik për bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve mes agjencive të specializuara për ketë qellim.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032488026890

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00