
Në datën 6 dhjetor 2019, u zhvillua në Bruksel takimi i 11-të i Nën-Komitetit të Çështjeve të Bujqësisë dhe Peshkimit të MSA BE-Shqipëri. Përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe Shqipërisë diskutuan nivelin e zbatimit të MSA-së dhe përafrimin e legjislacionit tonë me acquis të BE-së në fushën e bujqësisë dhe peshkimit, përfshirë çështjet e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe ato fitosanitare. Ekspertët e Komisionit përshëndetën përpjekjet e autoriteteve shqiptare për zbatimin e Instrumentit të Ndihmës së Para-Aderimit për Zhvillimin Rural (IPARD) dhe theksuan nevojën për të shpejtuar proceset që lidhen me qendrueshmërinë ekonomike të projekteve, ngritjen e kapaciteteve të shërbimeve këshilluese për të ndihmuar përfituesit e mundshëm, forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Autoritetit Menaxhues dhe Agjencisë IPARD.
Ekspertët inkurajuan institucionet shqiptare të hartojnë një politikë kombëtare për sigurinë e ushqimit dhe planin e zbatimit të përafruar me standardet e BE-së, si dhe të sigurojnë një kapacitet të mjaftueshëm administrativ, i cili është thelbësor për të lejuar një zbatim të saktë dhe të harmonizuar, si dhe për të siguruar gjurmimin e plotë përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor. Përsa i përket sektorit të peshkimit, Komisioni inkurajoi Shqipërinë të vazhdojë zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun (GFCM) dhe të riaktivizojë Sistemin e Monitorimit të Anijeve (VMS). Gjithashtu, në takim u përcaktua se duhet të vijohet me përmirësimin e kapacitetit administrativ në sektorin e peshkimit.