Bruksel: Zhvillohet takimi i 10-të i Komitetit të Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian

Në datën 14 nëntor 2019, u zhvillua në Bruksel takimi i 10-të i Komitetit të Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Takimi u bashkëkryesua nga znj.Michela Matuella, Shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat për Zgjerimin të Komisionit Evropian dhe z.Sokol Dedja, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Komiteti i SA analizoi zhvillimet më të rëndësishme të vitit në fushat e sundimit të ligjit, reformës në administratën publike, bujqësisë dhe peshkimit, tregtisë, zhvillimit ekonomik, industrisë dhe tregut të brendshëm, inovacionit dhe kulturës, politikës sociale, transportit, energjisë dhe ndryshimeve klimaterike. Komisioni përshëndeti progesin e vazhdueshëm që Shqipëria ka bërë në të gjitha fushat dhe theksoi rëndësinë e ndjekjes së mëtejshme të zbatimit të përpjekjeve për reformat, me fokus të veçantë në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, krimin e organizuar, përfshirë kultivimin e drogës dhe trafikimin. Po ashtu, u mirëprit bashkëpunimi i mirë në adresimin e sfidave të zakonshme migratore dhe të sigurisë nëpërmjet  zbatimit të Marrëveshjes me Agjensinë e Rojes Bregdetare dhe të Kufirit të BE, si dhe  nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe mbi bashkëpunimin kundër terrorizmit.
Ekspertët e BE theksuan përpjekjet në lidhje me reformën në drejtësi, përfshirë ecurinë e procesit vetting, dhe rekomanduan zbatimin e të gjitha masave, veçanërisht përmes bërjes funksionale të zinxhirit hetimor dhe gjyqësor të specializuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Institucionet shqiptare theksuan efektet pozitive të masave të ndërmarra për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike dhe forcimin e aftësive të administratës për të kryer rekrutimet të bazuara në merita. Gjithashtu, Komisioni përsëriti nevojën për një dialog gjithëpërfshirës politik në vend dhe nënvizoi rëndësinë e miratimit të një reforme zgjedhore që të adresojë rekomandimet e OSBE/ODHIR. Gjatë takimit u mirëprit dhe u inkurajua më tej angazhimi i Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal, çka krijon një pjesë thelbësore të avancimit të vendit në rrugën drejt integrimit evropian.

Adresa

Adresa e Misionit
30, Rue Tenbosch,
1000 Bruxelles

Tel / Fax

Tel. +32 2 640 3544
+32 2 644 3329
Fax. + 32 2 640 31 77
Emergency Tel. 0032485401237

E-MAIL

mission.eu@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00