Zhvillohet Dita e Kulturës shqiptare në Komunën e Herlevit

Në datat 20-21 Tetor 2018 u organizuan në Danimarkë “Ditët e Kulturës shqiptare”, të cilat kulmuan me aktivitetin përmbyllës të datës 21 Tetor 2018 të zhvilluar në Komunën e Herlevit. Krahas Ambasadës shqiptare, ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Kosovës dhe Radiotelevizionin Zëri i Kosovës në Danimarkë (RTVZik), si dhe me mbështetjen e kujdesin e Komunës së Herlevit.
Gjatë këtij aktiviteti u ekspozuan piktura të artistëve shqiptarë që jetojnë në Danimarkë, punime të artistit Zeqir Memeti, veshje kombëtare shqiptare, stendë me pamje nga Shqipëria si destinacion turistik, koncert me artistë të ftuar nga Kosova e shqiptarë të Maqedonisë, si dhe të ftuarve iu dha mundësia të provonin specialitete të kuzhinës tradicionale shqiptare. Në aktivitet ishin të ftuar dhe morën pjesë Kryetari i Komunës së Ballerupit, Jesper Würtzen, Drejtori i Kabinetit të Komunës së Herlevit, Jakob Ludvigsen,  zëvendësministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Kosovës, Arian Daci, Këshilltari i ministrit të Diasporës së Republikës së Maqedonisë, Rexhep Saliu, Konsulli i Kosovës në Kopenhagen, Arton Krasniqi, ambasadorë e përfaqësues të trupit diplomatik në Kopenhagen, si dhe shoqatat e shqiptarëve me banim në Danimarkë e Suedi.
Në fjalën e mbajtur nga Kryetari i Komunës së Ballerupit, Jesper Würtzen,ashtu si në fjalën e Drejtorit të Kabinetit të Komunës së Herlevit, Jakob Ludvigsen, u vlerësua rëndësia e shkëmbimit ndërkulturor mes komunitetit danez dhe atij shqiptar, që tashmë është i integruar mjaft mirë në shoqërinë daneze, duke e konsideruar këtë si një kontribut në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve dhe të bashkëjetesës mes dy popujve.
Zëvendësministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Kosovës, Arian Daci, mbajti një fjalë të shkurtër përshëndetëse, gjatë së cilës vlerësoi organizimin e aktivitetit, si dhe bëri me dije iniciativat që Qeveria e Kosovës po ndërmerr në mbështetje të diasporës shqiptare në mbarë botën.
Në përfundim të fjalëve të hapjes, të pranishmit vizituan ekspozitat, ndoqën koncertin e artistëve shqiptarë dhe shijuan specialitetet e kuzhinës shqiptare, ofruar nga një restorant shqiptar në Danimarkë. Në skenë spikatën interpretimet e valltarëve të Shoqatës Kulturore Shqiptare “Iliria” nga Suedia, Shoqata Okarina nga Suedia, veteranët e Folklorit shqiptar në Danimarkë, si dhe këngëtarët Jimilian Ismaili, Ariana Jashari, Irena Krasniqi etj.
Të ftuarit, anëtarët e trupit diplomatik, si dhe pjesëmarrësit e tjerë shprehën vlerësimet e tyre për organizimin e suksesshëm të aktiviteteve tëDitëve të Kulturës shqiptare në Danimarkë.Veprimtaritë u zhvilluan në një atmosferë festive dhe të pranishmit treguan interes për ekspozitat e artistëve, duke shprehur vlerësime pozitive për artin shqiptar dhe në përgjithësi për vendin tonë. Organizimi i këtyre ditëve përbën një eveniment domethënës, i cili mundësoi pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit shqiptar nga të gjitha vendet skandinave, të cilët gjatë këtyre ditëve mundën të shfaqin vlerat më të mira kombëtare, kulturore, artistike e patriotike. Vlen të theksohet se komuniteti shqiptar është një model për sa i përket bashkëjetesës e integrimit në shoqërinë daneze. Këto aktivitete janë me vlerë edhe nga pikëpamja e promovimit të vendit tonë si destinacion turistik, ku vihet re një rritje e shprehjes së interesit nga shtetasit danezë për të vizituar Shqipërinë, gjë e cila rezultoi edhe me një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve nga ky vend pëgjatë vitit të fundit. 

Adresa

Ambasada Shqiptare
Frederiksholms Kanal 4, st.tv. 1220
Copenhagen, Denmark

Tel / Fax

Tel. + 45/ 33917979
Fax. + 45/ 33917969
Nr. i emergjences
+45 91636640

E-MAIL

embassy.copenhagen@mfa.gov.al

Orari zyrtar

Nga e Hëna në të Premte
09:00 – 17:00