Vendet aleate në NATO ritheksojnë rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për sigurinë e Evropës

Më 4 dhe 5 dhjetor, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s u mblodhën në Bruksel, ku diskutuan një sërë çështjesh të rëndësishme për sigurinë e Aleancës, përfshirë situatën në Detin Azov, Ballkanin Perëndimor, situatën në Afganistan si dhe qasjen e Aleancës për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.
Ministrat e Jashtëm nënvizuan vendosmërinë e tyre për unitetin e solidaritetin transatlantik, si një element thelbësor të Aleancës, si dhe rishprehën angazhimin për ndarjen sa më të drejtë të barrës së sigurisë.
Vendet aleate dënuan njëzëri veprimet e fundit agresive të Rusisë në detin Azov dhe ritheksuan mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
Në punimet e këtij Ministeriali u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor. Aleatët dhe Përfaqësuesja e lartë e BE ritheksuan rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për të dy organizatat, duke riafirmuar vullnetin për angazhimin dhe bashkëpunimin në ndihmë të vendeve të rajonit, në rrugën e integrimit evropian dhe euroatlantik.
Në këtë kuadër, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati solli në vëmendje rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për NATO-n, bazuar në vlerat e përbashkëta, rëndësinë gjeopolitike të rajonit dhe ndikimin malinj të aktorëve të tretë në Ballkanin Perëndimor.
Në përputhje me politikën e “dyerve të hapura”, Ministri Bushati, mirëpriti progresin e Maqedonisë në rrugën drejt integrimit euro-atlantik dhe zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Prespës, duke nënvizuar rëndësinë e ndërtimit të një shoqërie funksionale dhe shumë-etnike në të. Duke u ndalur tek Kosova, Ministri Bushati riafirmoi mbështetjen për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të normalizojë plotësisht marrëdhëniet mes dy vendeve, t’i hapë rrugën procesit të pajtimit dhe më tutje afrimit të Kosovës në familjen euro-atlantike.
Gjatë zhvillimit të Ministerialit, Ministri Bushati zhvilloi takime bilaterale me homologët nga Hungaria Péter Szijjártó, Ministren norvegjeze për Punët e Jashtme Ine Eriksen Søreide si dhe me Ministrin alternativ të Punëve të Jashtme të Greqisë Georgios Katrugalos, me të cilët ndër çështjet me karakter dypalësh u diskutua edhe për mbështetjen ndaj kandidaturave të Shqipërisë për kryesinë e OSBE 2020 dhe vend jo permanent në Këshillin e Sigurimit 2022-2023.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Frederiksholms Kanal 4, st.tv. 1220
Copenhagen, Denmark

Tel / Fax

Tel. + 45/ 33917979
Fax. + 45/ 33917969
Nr. i emergjences
+45 91636640

E-MAIL

embassy.copenhagen@mfa.gov.al

Orari zyrtar

Nga e Hëna në të Premte
09:00 – 17:00