Takim me një grup prindërish e mesuesish për promovimin e mësimit të gjuhës shqipe.

Në datën 11 nëntor 2017, në ambjentet e Ambasadës u organizua një takim me një grup prindërish që kanë fëmijë në moshë shkollore dhe mësuesish që japin mësim në gjuhën shqipe. Në takim gjithashtu ishin ftuar e merrnin pjesë përfaqësues të shoqatave shqiptare.

Në fillim të takimit foli Ambasadori Kastriot Robo, i cili gjatë fjalës e tij vuri theksin në rëndësinë e vecantë që i jepet mësimit të gjuhës amëtare, për fëmijët e komunitetit shqiptar të të gjitha trevave. Ai foli për rëndësinë dhe prioritetin që qeveria shqiptare i jep mësimit të gjuhës amëtare në diasporë, si një detyrë kushtetuese dhe lehtësitë e mundësitë e krijuara rishtazi për këtë qëllim. Duke ju referuar 99 vjetorit të Kongresit të Manastirit, Ambasadori përmendi përpjekjet e bëra ndër breza për ruajtjen dhe mësimin e gjuhës amëtare dhe u drejtoi një thirrje prindërve të pranishëm për rregjistrimin e fëmijëve në klasat plotësuese të mësimit të gjuhës.

Gjithashtu, u vu në dukje edhe nevoja e forcimit të punës së shoqatave, që të vijojnë më me interes dhe intensitet punën për organizimin e mësimit të gjuhës amëtare tek fëmijët shqiptarë.

Takimi vijoi me një bashkëbisedim me të pranishmit, gjatë së cilit u shkëmbyen mendime dhe u diskutua mbi shkaqet dhe faktorët që kanë ndikuar në nivelin jo të kënaqshëm të interesit për mësimin e gjuhës, mundësitë reale për të promovuar mësimin e gjuhës dhe njëkohësisht rëndësinë dhe rolin e familjeve/prindërve në rritjen e nivelit të interesit përmes punës e angazhimit të tyre në këtë drejtim. Gjatë bashkëbisedimit u ndanë mendime e opinione edhe për gjetjen e mënyrave për motivimin e fëmijëve dhe rritjen e interesit të tyre edhe duke dhënë mendime mbi mënyrën e organizimit të klasave mësimore.

Nga mësuesit e pranishëm u bë me dije se në Kopenhagen ka aktualisht 5 klasa të mësimit të gjuhës shqipe, si mësim plotësues, ku mësojnë rreth 75 nxënës. Por nga përfaqësuesit e shoqatave u vu në dukje se numri i fëmijëve shqiptarë në Kopenagen mund të jetë rreth 1 mijë fëmijë, pra rreth 10 % e fëmijëve ndjekin mësimin e shqipes. Gjithashtu, nga ana e përfaqësuesve të shoqatave u vu në dukje se nxënësit që kanë ndjekur mësimin e gjuhës shqipe kanë pasur një ecuri mjaft pozitive jo vetëm në procesin e arësimimit, por edhe në karrierën e tyre profesionale, si një tipar që i ka formuar dhe rritur si personalitete në fusha të ndryshme.

Mësuesit e pranishëm vlerësuan se baza materiale, kryesisht librat dhe materialet e tjera didaktike nuk mungojnë dhe për këtë ata falenderuan për mbështetjen.

Në bashkëbisedim u theksua vecanërisht roli i nënave shqiptare në mësimin e gjuhës amëtare, jo thjesht dhe vetëm duke e transmetuar gjuhën përmes të folurit në ambientet familjare, por duke inkurajuar që ajo të mësohet në mënyrë të organizuar dhe të njësuar, si mënyra e duhur e efektive për ta arritur këtë. Për këtë u ra dakord që në të ardhmen të organizohej një takim i veçantë me nënat e fëmijëve në moshë shkollore, parashikuar janarin e ardhshëm

Adresa

Ambasada Shqiptare
Frederiksholms Kanal 4, st.tv. 1220
Copenhagen, Denmark

Tel / Fax

Tel. + 45/ 33917979
Fax. + 45/ 33917969
Nr. i emergjences
+45 91636640

E-MAIL

embassy.copenhagen@mfa.gov.al

Orari zyrtar

Nga e Hëna në të Premte
09:00 – 17:00