Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, në pritjen e organizuar nga Kryeministri me trupën diplomatike të akredituar në vendin tonë

Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme Ditmir Bushati merr pjesë në takimin e përvitshëm që Kryeministri zhvillon me trupën diplomatike të akredituar në vendin tonë.
Në fjalën e tij para trupës diplomatike Ministri Bushati ndalet tek arritjet e diplomacisë shqiptare, të cilat lidhen me angazhimin dhe rolin e vendit tonë, tashmë jo vetëm në nivel rajonal, por edhe ndërkombëtar.
“Për herë të parë që nga anëtarësimi i Shqipërisë në OSBE, dhe kujtoj këtu që Shqipëria ishte vendi i fundit në perandorinë komuniste që u anëtarësua në KSBE që më pas do të transformohej në OSBE, Shqipëria do të ketë fatin dhe nderin e madh që të drejtojë këtë organizatë të rëndësishme me një gjeografi të gjerë, nga Valdivostoku në Vankuver”, u shpreh Ministri Bushati.
Ministri Bushati u ndal tek arritjet në procesin e integrimit evropian dhe hapat e rëndësishëm të ndërmarrë gjatë vitit 2018 dhe sfidat që na presin këtë vit.
 
Më poshtë fjala e plotë e Ministrit Bushati.
2018 ishte një vit pozitiv përsa i përket procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Për herë të parë pas shumë vitesh falë reformave shtet-konsoliduese dhe mbështetjes së Komisionit Evropian, Shqipëria fillimisht mori një rekomandim të qartë si kristali për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Po kështu vendet anëtare të BE-së përcaktuan një kalendar të qartë përsa i përket nisjes së bisedimeve për anëtarësim, duke na kujtuar në të njëjtën kohë që reformat shtet-ndërtuese duhet të vazhdojnë me të njëjtin ritëm nga ana e Shqipërisë.
Në 2018 ne filluam punën përgatitore me Komisionin Evropian, një punë që dita ditës po nxjerr në pah nevojën për reforma molekulare në të gjithë administratën në Shqipëri në përputhje me detyrimet që burojnë nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
2018 gjithashtu shënoi momente të rëndësishme dhe përsa i përket strategjisë së zgjerimit të BE për Ballkanin Perëndimor, agjendës së ndërlidhshmërisë disa vite pas samitit të Selanikut ku qartësisht u përcaktua rruga evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Arritja e dytë për sa na takon ne për 2018 është në fushën e sigurisë dhe kontributit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Për herë të parë që nga anëtarësimi i Shqipërisë në OSBE, dhe kujtoj këtu që Shqipëria ishte vendi i fundit në perandorinë komuniste që u anëtarësua në KSBE që më pas do të transformohej në OSBE, Shqipëria do të ketë fatin dhe nderin e madh që të drejtojë këtë organizatë të rëndësishme me një gjeografi të gjerë, nga Valdivostoku në Vankuver, me 57 pjesëmarrës, dhe u bënë pak ditë që Shqipëria gjithashtu është pjesë e Trojkës, së bashku me Italinë dhe Sllovakinë.
Natyrisht që për një vend që përgjithësisht ka qenë konsumator i OSBE dhe tanimë do të jetë jo vetëm kontributor, por dhe përcaktues përsa i përket bashkëveprimit në Trojkë dhe në vende të tjera partnere në këtë organizatë, kjo nuk është një arritje e vogël. Unë jam i bindur që në 2019 , e më pas në 2020, Shqipëria do të vërtetojë që e ka merituar plotësisht mbështetjen njëzëri të të gjitha vendeve të kësaj organizate.
Arritja e tretë ka lidhje me rajonin, siç dihet është ajo zonë, mëhallë ku zakonisht fqinjët kanë probleme me njëri tjetrin dhe zakonisht ku tonet nuk mungojnë. Dua t’ju falënderoj të gjithëve për bashkëpunimin që kemi pasur, për punën shembullore që jemi përpjekur të kryejmë në radhë të parë me Greqinë, pavarësisht diferencave që kemi por besoj se ka qenë një punë e cila ka demonstruar vullnetin në radhë të parë të dy kryeministrave, të Shqipërisë dhe Greqisë, të qeverive dhe të vendeve përkatëse për të ecur para dhe për të mbyllur njëherë e mirë të gjitha çështjet të cilat kanë kohë që janë pezull.
Së dyti, marrëveshja e Prespës, ku Shqipëria dhe shqiptarët në vendin fqinj kanë luajtur një rol përcaktues dhe ne shpresojmë, urojmë, besojmë që kjo marrëveshje të miratohet sa më parë në Parlamentin e Shkupit e më pas Athinës, për ti hapur rrugën kësisoj edhe perspektivës euroatlantike të vendit tonë fqinj.
Së treti kemi mbështetur proceset e dialogut mes Serbisë e Kosovës, si rruga e vetme për të siguruar ardhmërinë evropiane të dy vendeve, dhe të gjitha iniciativave apo nismave në këtë drejtim që synojnë thellimin e bashkëpunimit rajonal.
Së fundmi po jo më pak i rëndësishëm, 2018 shënoi arritje të rëndësishme mendojmë dhe për sa i përket diplomacisë ekonomike. Kujtoj këtu se 2017 ishte përcaktuese për ti dhënë një kurs e kompas tjetër orientues zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare në fushën ekonomike dhe promovimit të resurseve të vendit dhe ne kemi hedhur disa hapa deciziv në këtë drejtim dhe besojmë se në një të ardhme jo të largët do të jenë të gjitha kushtet për të shënuar progres domethënës në këtë drejtim.
Së fundmi, dua të shpreh falënderime nga zemra për të gjithë partnerët e Shqipërisë, në radhë të parë për partnerët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, por të gjithë vendet që kanë statusin e partnerit strategjik, qoftë në nivelin evropian, apo në nivelin rajonal, për fqinjët, për atë progres që ne jemi përpjekur ta ruajmë si ujët e pakët e ta konsolidojmë më tej, sepse besojmë që paqja dhe mirëkuptimi është e vetmja rrugë që mund të çojë Ballkanin përpara.
Dua ta mbyll duke kujtuar fjalët që Papa Françesku tha para ca ditësh në mesazhin e tij të përvitshëm, ku e krahasoi paqen me shpresën e lulen e brishtë, në mënyrën se si lulëzon lulja e brishtë thotë ai në shkëmbinjtë e thepisur. Po kështu është dhe paqja në Ballkan dhe para së gjithash ne diplomatëve na takon që të punojmë më shumë se kurrë për të konsoliduar paqen dhe për ti ofruar sidomos gjeneratave të reja një perspektivë më të qartë.
Faleminderit të gjithëve! Gëzuar 2019 qoftë një vit i mbarë për ju dhe familjet tuaja.

ADDRESS: Frederiksholms Kanal 4, st.tv. 1220 Copenhagen, Denmark

Ambasada e Shqipërisë
Frederiksholms Kanal 4, st.tv.
1220 Copenhagen K,  Denmark

Tel / Fax

Tel. + 45/ 33917979
Fax. + 45/ 33917969
Nr. i emergjences
+45 91636640

E-MAIL

embassy.copenhagen@mfa.gov.al