Fjala e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati në Konferencën e Përbashkët me Përfaqësues të Lartë të BE-së

E nderuar zonja Federica Mogherini,
I nderuar zoti Hahn,
Dua të theksoj se Shqipëria është në një proces të fillimit të reformave dhe dua gjithashtu të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen tonë për të gjitha vendet anëtare të cilat kanë ndihmuar Shqipërinë në këtë betejë të vështirë.  Në të njëjtën kohë dua të siguroj, Komisionerin, Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare se ne jemi shumë të vendosur për të vazhduar në këtë betejë. Tani do doja të vazhdoja në gjuhën shqipe.
Në kuadër të takimit dje të Këshillit të Stabilizim -Asociimit me Bashkimin Evropian diskutuam procesin e reformave në Shqipëri që nga nëntori i kaluar duke mbajtur në konsideratë edhe zhvillimet në këtë drejtim, qoftë rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve për antarësim për Shqipërinë, sikundër paketën e plotë të strategjisë së zgjerimit, ku përcaktohen fushat prioritare për vendin tonë dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për t’i dhënë një jetë më të madhe procesit të konektivitetit, ndërlidhshmërisë në Rajonin tonë, por edhe mbi atë se ç’ka kanë vendosur vendet anëtare në qershorin e këtij viti, duke krijuar një horizont të qartë për vitin 2019 dhe një kalendar indikativ për Shqipërinë në funksion të fillimit të bisedimeve për antarësim.
Jam i gëzuar që ka një vlerësim përsa i përket ecurisë së reformave, sfidave që kemi përpara. Procesi i Reformës në Drejtësi po sjell frytet e para. Vettingu mes gjykatësve dhe prokurorëve po sjell frytet e para, duke adresuar edhe mungesën e besimit që përgjithësisht qytetarët kishin tek institucionet e drejtësisë dhe në të njëjtën kohë puna përgatitore që po bëjmë me Komisionin Evropian për kapitujt 23 dhe 24 që përqendrohet kryesisht tek çështjet e të Drejtave të Njeriut dhe të Sundimit të së Drejtës.
Ky proces do të jetë një mundësi e artë për ne, për të projektuar ndërtimin e arkitekturës së re në sistemin e drejtësisë. Gjithashtu, diskutuam për progresin që Shqipëria ka bërë në luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar dhe me agjencitë përkatëse të vendeve anëtare. Natyrisht është herët që të thuhet se Shqipëria dhe vendet e Rajonit i kanë larë hesapet me krimin e organizuar apo me korrupsionin. Këto mbeten fenomene të cilat duhen adresuar në përpjekje të vazhdueshme. Operacionet në këtë drejtim, kryesisht të muajve të fundit, janë inkurajuese dhe më vjen mirë që Përfaqësuesja e Lartë e BE-së e përmendi, duke përfshirë edhe vendimet e djeshme të gjyqësorit të një prej grupeve kriminale, me një rrezikshmëri të lartë në Shqipëri dhe në këtë drejtim, të gjithë autoritetet tona, jo vetëm Qeveria, por instancat ligjzbatuese janë në një front për të përballuar këtë fenomen dhe për të pasur rezultate sa më të mira.
Në të njëjtën linjë ecim edhe përsa i përket Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut me fokus të posaçëm, të Drejtat e Pakicave Kombëtare. Siç dihet, vitin e shkuar ne kemi miratuar një ligj të një standardi të lartë në bashkëpunim me ekspertizën e ofruar nga Këshilli i Evropës dhe do të vijojmë më tej edhe me procesin e zbatimit apo përkthyerjes së këtyre standarteve në praktikë që do të përmirësojnë jetën e pakicave kombëtare. Po kështu, analizuam edhe çështjet që kanë të bëjnë me kufizimin e të Drejtave Pronësore, duke pasur në vëmendje Jurisprudencën e Strasburgut dhe asistencën që ne kemi marrë në këtë drejtim nga ana e Komisionit Evropian.
Çështja e dytë, në të cilën ne ndajmë një pikëpamje të plotë me institucionet e BE-së  ka të bëjë me rolin e Shqipërisë në Rajon. Fakti që Shqipëria linjëzon qëndrimet dhe politikën e saj të Jashtme 100% me BE-në, nuk është një proces mekanik, është një proces që buron nga zgjedhja strategjike që shoqëria jonë ka bërë që në momentin që është ndarë me regjimin komunist, për të qenë një ditë vend anëtar i BE-së edhe në këto kohë të trazuara për rendin ndërkombëtar. Rikomfirmuam gjatë këtij takimi vendosmërinë tonë për të vijuar me këtë trend.
Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, gjatë diskutimeve në takimin e 10-të  të KSA, pata mundësi që të rikonfirmoj qëndrimin e Qeverisë shqiptare, gatishmërinë e Kryeministrit Rama, si lider i mazhorancës, për të mbajtur hapur derën e dialogut me të gjithë aktorët politikë parlamentarë dhe aktorët e tjerë institucionalë në funksion të jetësimit të atyre prioriteteve të cilat janë të rëndësishme për fatet e vendit. E kam fjalën kryesisht për Reformën Zgjedhore, por edhe për avancimin më të shpejtë të Reformës në Drejtësi.
Ne jemi të vendosur për të vijuar me procesin e reformave. Para nesh është një horizont dhe kalendar i qartë me qershorin e 2019-ës dhe uroj që së bashku me Komisionin Evropian, me Institucionet e BE-së dhe me vendet anëtare, të punojmë të gjithë së bashku, pavarësisht pozicioneve institucionale apo shtetërore respektive, në mënyrë që këtë histori ta kthejmë në një sukses të përbashkët.
Faleminderit!

Adresa

Ambasada Shqiptare
Frederiksholms Kanal 4, st.tv. 1220
Copenhagen, Denmark

Tel / Fax

Tel. + 45/ 33917979
Fax. + 45/ 33917969
Nr. i emergjences
+45 91636640

E-MAIL

embassy.copenhagen@mfa.gov.al

Orari zyrtar

Nga e Hëna në të Premte
09:00 – 17:00