Ministri Lleshaj pret zv.kryeministrin, njëkohësisht ministër i Brendshëm i Çekisë, Hamáček

Prill 2019- Konferenca e përbashkët për media e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Sandër Lleshaj dhe Zv.kryeministrit, njëkohësisht ministër i Brendshëm i Çekisë, Jan Hamáček: Ministri Lleshaj: Kam kënaqësinë që t'i uroj dhe para jush, mirëseardhjen, Zv.kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm të Republikës çeke, i cili vjen për një vizitë në Shqipëri. Ajo zhvillohet në një moment shumë të rëndësishëm edhe në kuadër të marrëdhënieve tona dypalëshe, por edhe në kuadrin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Çekia është një vend mik, mik i vjetër me të cilin kemi patur marrëdhënie të mire historike, por edhe një model shumë i mirë i integrimit në BE, një vend europian i cili prin në shumë aspekte sa i përket rritjes ekonomike, uljes së papunësisë, zhvillimit të përgjithshëm ekonomiko-social të vendit, një model i mirë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Diskutuam rreth marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve në të gjitha aspektet e rendit dhe sigurisë publike. Sigurisht që vizita e sotme e ministrit të Brendshëm, pas vizitës së paradokohshme të ministrit të Punëve të Jashtme të Çekisë dhe vizitat e tjera të pritshme të nivelit të lartë, tregojnë që midis dy vendeve ka marrëdhënie shumë të mira, por ka dhe perspektiva shumë të mira zhvillimi për në të ardhmen. Diskutuam rreth çështjeve me rëndësi reciproke, sidomos atyre në fushën e emigracionit të paligjshëm, të refugjatëve, të luftës kundër krimit të organizuar dhe çështje të tjera. Shqipëria është vendi i parë që ka nënshkruar marrëveshjen me FRONTEX për kontrollin e përbashkët të kufijve dhe Çekia parashikon të ofrojë kontribute substanciale në këtë fushë. Në të njëjtën kohë nga aq sa përpiqemi për të forcuar kontrollin e kufijve dhe pengimin e lëvizjeve të paligjshme, po ashtu jemi të angazhuar për të lehtësuar lëvizjen e lirshme të qytetarëve në kufijtë tanë si një mënyrë e mirë për të promovuar ato vlera që Bashkimi Europian përfaqëson. Republika Çeke ka mbështetur integrimin europian të Shqipërisë e të rajonit dhe gjatë diskutimit që patëm me ministrin çek, por dhe me delegacionin e tij të nivelit të lartë u konfirmua gatishmëria e Çekisë për ta mbështetur, për ta shoqëruar Shqipërinë në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Europian. Diskutuam shumë rreth kësaj çështje dhe pranoj, le të them më kënaqësi që mbështetja çeke në këtë proces është jashtëzakonisht e rëndësishme. Diskutuam edhe për bashkëpunimin në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, për bashkëpunimin dhe për shkëmbimin e informacionit, dhe për çështje të tjera në këtë fushë. Shqipëria do ta vazhdojë më tej angazhimin e saj të madh për të luftuar krimin e organizuar. Konstatojmë me kënaqësi se që nga viti 2017 kur është ngritur struktura ose Task Forca e dedikuar, “Forca e Ligjit” dhe deri në 30 mars të vitit 2019 janë zhvilluar një numër i madh operacionesh kundër krimit të organizuar, rreth 24 operacione të tilla, me rreth 232 persona të arrestuar apo të ndaluar si pjesëtarë të grupeve të krimit të organizuar. Janë sekuestruar sasi të konsiderueshme vlerash financiare në nivelin e 27.3 milionë eurosh dhe janë goditur shumë grupe kriminale. Ky është një proces, i cili konsiderohet vetëm i sapofilluar. Angazhimi i strukturave të Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të sigurisë në vend është maksimal për ta vazhduar, për ta thelluar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si parakushte të rëndësishme për rritjen e parametrave të sigurisë publike në vend por edhe për plotësimin e kushteve të domosdoshme për anëtarësimin e Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu Shqipëria mbetet e angazhuar për të vazhduar më tej punën në luftën e saj kundër kultivimit të kanabisit. Ajo çfarë është arritur vitin e kaluar, për ta zhbërë nga harta e kanabisin në Shqipëri, mbetet sfidë për të ardhmen që kjo gjë mos të riaktivizohet, mos të ri përsëritet. Angazhimi i gjithë strukturave është maksimal për ta vazhduar dhe thelluar këtë histori suksesi, e cila po ashtu kontribuon në një imazh tjetër dhe një gjendje tjetër sigurie për vendin. Po ashtu diskutuam çështjet e emigracionit të paligjshëm të qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të Bashkimit Europian, në disa raste Çekia është përdorur si platformë për të kaluar më tej. Me këtë rast gjej mundësinë për t’u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë, të cilët ndonjëherë edhe në ndjekje të ndonjë iluzioni, por edhe të mashtruar nga rrjete të ndryshme kriminale, kërkojnë azil në vende të Bashkimit Europian, që të mos ndërmarrin hapa të tilla për arsye se jo vetëm shanset për të kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian nuk ekzistojnë, por në të njëjtën kohë ata do të cenojnë edhe mundësinë e lëvizjes së lirë të tyre të ardhshme drejt vendeve të Bashkimit Europian. Sigurisht flukset e qytetarëve shqiptarë që kanë kërkuar mbështetjen, ose azil në vendet e Bashkimit Europian ka rënë në mënyrë drastike nga viti 2015 në 2018-ën, pothuajse ky numër është reduktuar në 300 %, por prapë mbetet për të bërë me qëllim që fenomene të tilla të mos ndodhin dhe përmes këtyre qytetarëve të gënjyer, të mos dëmtohen edhe shanset dhe mundësitë e udhëtimit të lirë për qytetarët e tjerë të vendit tonë. Diskutuam edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me bashkëpunimin policor në fushën e policisë kriminale, në fushën e mbrojtjes nga zjarri, në fushën e Policisë Rrugore, hetimit të aksidenteve, marrëdhëniet me shoqëritë e sigurimeve e të tjera me radhë. Po ashtu në fushën e policisë kriminale u fol gjatë për hetime të përbashkëta, për shkëmbime informacioni, për luftën kundër krimit ekonomik-financiar, e çështje të tjera. Dhe temë që mori rëndësi të madhe ishte integrimi europian i vendit. U vlerësua reforma e kryer në sistemin e drejtësisë, Vettingu në drejtësi, Vettingu në Policinë e Shtetit. Pata rastin ta falënderoj homologun çek për mbështetjen e madhe që Çekia i ka dhënë përherë Shqipërisë, në rolin pothuajse të një avokati në rrugën e saj drejt BE-së, si edhe t’i kërkoj mbështetje të mëtejshme, e cila besoj që është e garantuar. Po ashtu pata rastin t’i konfirmoj angazhimin tonë për të vazhduar më tej reformat në të gjitha fushat. Në fushën e sistemit të sigurisë, Policia e Shtetit dhe struktura të tjera të saj mbeten po aq të rëndësishme. Gjeta rastin të theksoj se integrimi i Shqipërisë dhe i rajonit në BE është një inkurajim i mëtejshëm për reformat, një inkurajim i mëtejshëm për të gjitha forcat progresive, të cilat janë promotorë të integrimit të vendit në BE. Në të njëjtën kohë gjeta rastin të theksoj që çdo hezitim në drejtim të hapjes së negociatave do të ishte një inkurajim ndaj aktorëve të cilët janë të interesuar për një rajon të izoluar. Dhe shpresoj që as situata e brendshme politike në BE, të mos frenojë sadopak këtë proces i cili është jetik jo vetëm për qytetarët e rajonit dhe të Shqipërisë, por edhe për vetë BE-në. Përfundimisht gjej edhe njëherë rastin dhe kënaqësinë, kështu në mënyrë publike, ta falënderoj kolegun çek për vizitën e tij dhe për mbështetjen e dhënë deri më tani dhe për premtimet e dhëna për mbështetje në të ardhmen. Faleminderit! Ministri Hamáček: I nderuar zoti Ministër, të nderuara zonja dhe zotërinj, ju falënderoj për mikpritjen, në të njëjtën kohë kam dëshirë të falënderoj zotin Ministër për mikpritjen e tij dhe kam dëshirë të them që gjithçka që zoti ministër tha, jam i gatshëm të vendos firmën time, nën çdo paragraf. Mund të them se marrëdhëniet tona janë të mira dhe më lejoni të filloj duke thënë se kjo nuk është hera e parë që unë vij në Republikën e Shqipërisë. Për herë të parë kam qenë në vitin 2000, pastaj kam qenë në vitin 2014 dhe sot është viti 2019, hera e tretë. Më lejoni t’ju prezantoj vërtet mrekullinë që unë kam ndjerë, sepse unë po shoh që vendi juaj ka ndryshuar kaq shumë, ka një zhvillim pozitiv, është kaq i modernizuar. Për sa i përket temave, për të cilat foli edhe zoti Ministër, ne kemi folur së bashku për sa i përket migracionit. Kam dëshirë të vlerësoj Republikën e Shqipërisë, e cila si vend i parë ka firmosur marrëveshjen me FRONTEX dhe ne si Republikë çeke e mbështesim këtë iniciativë dhe Republika çeke ka dërguar në kufi 10 punonjës të policisë çeke dhe teknikë policorë. Sigurisht që ne si shtet, kemi dëshirë që të ndihmojmë edhe më tej, sepse interesi ynë është që të ndalojmë migracionin. Atë çfarë kemi parë në vitin 2015, kur nëpërmjet rrugës së Ballkanit kanë kaluar emigrantë dhe për këtë duam të falënderojmë dhe Shqipërinë, policinë e Shqipërisë dhe institucionet e tjera shqiptare që kanë ndihmuar në këtë fushë. Bashkëpunimi, ky është vetëm një informacion i rëndësishëm për mediat në përgjithësi, bashkëpunimi midis Republikës së Çekisë dhe Shqipërisë ka filluar prej vitesh, bashkëpunimi mes dy vende ka filluar që vitet 1950 kur ne kemi krijuar bazat e policisë, e cila merret me trajnimin e qenve. Sigurisht që bashkëpunimi ynë, siç thashë, vazhdon prej vitesh dhe dua të falënderoj për bashkëpunimin e tanishëm. Ne kemi një shkëmbim të madh informacionesh të njësive të ndryshme të policisë, organet e ndryshme të policisë bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe kanë qenë të suksesshme, dua vërtet të përgëzoj Policinë shqiptare për punën që kanë bërë, ka kaq shumë persona të arrestuar dhe ka shumë pasuri, asete të konfiskuara. Së bashku me mua, në delegacion ka ardhur Drejtori i Zjarrfikëses të Republikës çeke dhe ne i kemi prezantuar palës shqiptare dëshirën tonë që të bashkëpunojmë edhe në këtë fushë. Ne jemi të gatshëm të japim eksperiencën tonë, mundësitë, teknikën, sesi ne e menaxhojmë, si e kemi krijuar qendrën tonë të zjarrfikëses, pra jemi të gatshëm të ofrojmë bashkëpunim edhe në këtë fushë. Sigurisht përsa i përket temës së fundit, unë kam dëshirë të them që ardhja ime e fundit, tani në prill të vitit 2019, siç përmendi edhe zoti Ministër, vizitën e ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, është sinjal i fortë mbështetjeje për Shqipërinë, sepse mendojmë që Shqipëria ka bërë zhvillim të madh, i ka bërë detyrat e shtëpisë që Bashkimi Europian i ka dhënë asaj dhe unë mendoj se Shqipëria është e përgatitur për të vazhduar dhe më tej në hapat e integrimit në BE. Sigurisht që BE momentalisht gjendet në një situatë të vështirë sepse po zgjidh çështjen e BREXIT, largimin e Britanisë së Madhe nga BE, por ne mendojmë që e vetmja zgjidhje e mundshme për Ballkanin Perëndimor është zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor. Ne do të mundohemi të flasim me partnerët tanë në BE, d.m.th. që e vetmja gjë e rëndësishme është kjo gjë dhe kur ne po zgjidhim çështjen e BREXIT nuk është e nevojshme të lëmë mënjanë çështjen e zgjerimit të BE me Ballkanin Perëndimor. Faleminderit! Pyetje: Një koment nëse mundet nga zoti Hamáček në lidhje me situatën politike në vend. Opozita është në protestë, pra ka një situatë të tillë, dhe a mund të deklarojë Çekia një votë pro në prag të procesit të çeljes së negociatave për Shqipërinë? Ministri Hamáček: Unë nuk mund të bëj komente për sa i përket situatës politike në vendit tuaj, për çfarë ka ndodhur në parlamentin tuaj. Është diçka që i përket vetëm Shqipërisë dhe vendit tuaj. Sigurisht që është një çështje për sa i përket aspektit politik të brendshëm të Republikës së Shqipërisë. Këto janë gjëra që i përkasin politikës së brendshme të vendit tuaj, por unë si person i jashtëm shikoj një zhvillim të madh që ka Republika e Shqipërisë. Unë shikoj zhvillim jo vetëm këtu në Tiranë, por dhe në vende të tjera. Ju keni bërë reforma në drejtësi dhe unë këto gjëra i shikoj si tepër pozitive. Sigurisht që ajo “Po” çeke është vetëm një simbolikë që ne vërtetë e shikojmë progresin tuaj, e shikojmë zhvillimin tuaj dhe sigurisht është vetëm një “Po” e rrugës tuaj, që Shqipëria të bëhet anëtar i BE-së. Sigurisht që rruga për t’u bërë anëtar i BE nuk është kaq e lehtë dhe nuk fillon dhe nuk përfundon me “Po” tonë, por është vetëm një simbolikë për t’i thënë vendit tuaj që ne vërtet e vlerësojmë zhvillimin tuaj jo vetëm këtu në Tiranë, por në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Pyetje: Doja t’ju pyesja në lidhje me riaktivizimin e një vale refugjatësh nga vendet e Lindjes së Mesme dhe mediat e huaja flitet se shumë vende të rajonit kanë marrë masa në kufi. Po Shqipëria e ka bërë të njëjtën gjë? Dhe nëse do të kemi një valë emigrantësh, a ka kapacitet Shqipëria ta përballojë? Ministri Lleshaj: Sigurisht që menaxhimi i flukseve të emigrantëve është një nga çështjet themelore që preokupon jo vetëm Shqipërinë apo rajonin, por Europën në tërësi, për arsye se, siç e përmendëm edhe më parë. Kjo është sfidë shumëdimensionale dhe e vështirë për t’u kontrolluar qoftë nga një vend i vetëm, apo dhe nga një kontinent i tërë. E dimë që viti 2015 ka qenë një sfidë e madhe që ka tronditur shumëçka në Europë pikërisht prej refugjatëve. Është e vërtetë që ditët e fundit ka qarkulluar, kryesisht prej mediave sociale, ideja e organizimit të një karvani shprese drejt Europës, që synohej të organizohej në Greqi. Ne jemi të informuar, jo vetëm ne, por partnerët tanë perëndimorë, partnerët tanë rajonalë janë të informuar për këtë përpjekje, e cila është vlerësuar seriozisht nga ne, nga të tjerët. Ne kemi, kapacitetet që kemi, nuk mund të shtojmë kapacitete sa herë që aktivizohen valë të tilla refugjatësh, por ne do të marrim gjithë masat, ashtu siç i kemi marrë në të kaluarën, për ta patur nën kontroll këtë situatë. Dhe besoj se ne do të arrijmë ta menaxhojmë këtë situatë duke marrë në konsideratë edhe faktin që tashmë jemi shumë më të koordinuar me partnerët tanë europianë, me FRONTEX-in, i cili është aktualisht në kufirin e përbashkët tonin me Greqinë. Pra besoj që kjo gjë do të mbahet në kontroll të vazhdueshëm dhe ne i kemi kapacitetet për të bërë pjesë në to, por sigurisht nuk mjafton vetëm pjesa jonë këtu është një çështje e madhe e cila i tejkalon përmasat e Shqipërisë dhe të rajonit dhe besojmë se së bashku me partnerët tanë qoftë të rajonit, qoftë të BE, FRONTEX-in, ne do të jemi në gjendje ta mbajmë këtë situatë nën kontroll. Pyetje: Përsa i përket situatës së kriminalitetit në vend, faktikisht janë për t’u përshëndetur disa goditje të policisë për sa i përket zbardhjes dhe identifikimit të disa ngjarjeve të tjera, janë dy ngjarje për sa i përket Shkodrës dhe Elbasanit dhe çfarë po bëhet me këto ngjarje dhe a do të vijojë operacioni ‘Forca e Ligjit’, pasi keni pasur edhe ju deklarata të mëparshme me partnerët që ky operacion do të vijojë edhe me kapjen, ose të paktën zbardhjen e ngjarjeve që janë shumë të rënda? Ministri Lleshaj: Po e filloj nga fundi, sigurisht operacioni “Forca e Ligjit” është në zhvillim të plotë, vazhdon. E vetmja gjë e re që ne pretendojmë të kemi në operacionin ‘Forca e Ligjit’ është thellimi dhe zgjerimi i tij në pikëpamje gjeografike. Me synim që ky operacion të zhvillohet në mënyrë simultane në të gjithë vendin, duke u fokusuar edhe në ato qarqe ku problematika është më e madhe. Sa i përket pyetjes suaj që lidhet me ngjarjen kryesisht në Shkodër apo në Elbasan, mund t’ju them dy gjëra: e para, situata e sigurisë në vend është në parametrat e saj më të mirë në histori, në qoftë se u referohemi shifrave dhe treguesve kryesorë që e sintetizojnë gjendjen e sigurisë publike. Në të njëjtën kohë ne jemi të interesuar dhe të shqetësuar edhe për perceptimin publik, i cili nuk është në nivelin maksimal dhe ne duhet ta adresojmë dhe do ta adresojmë edhe perceptimin publik, ashtu sikundër do të marrim masa të forta për të vijuar dhe thelluar luftën ndaj atyre grupeve kriminale, të cilat ende nuk janë vënë përpara drejtësisë, për arsye të punës që nevojitet për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale. Në Shkodër po merren masa të forta dhe besoj nëse do të afroheni drejt Shkodrës, do t’i shihni masat e mëdha që po merren nga policia por jo vetëm. Ne kemi një qasje të integruar, janë shumë Agjenci që po punojnë fort në Shkodër, pra Agjenci të zbatimit të ligjit, Policia e Shtetit, SHISH, Doganat, Tatimet, Hipotekat, pra po bëhet një qasje shumë e integruar në mënyrë që strukturat ende të mbijetuara të krimit të organizuar në qarkun e Shkodrës, të marrin një goditje nga të gjithë krahët, pra një qasje 360 gradë në mënyrë që ky fenomen dhe kjo pasiguri e krijuar për shkak të veprimtarisë së këtyre grupeve, të marrë fund njëherë e mirë, në Shkodër, Elbasan, në Vlorë e gjetiu. Faleminderit!

Adresa

Ambasada Shqiptare
Praha 1, Sněmovní 173/9
PSČ 118 00
Czech Republic

Tel / Fax

Tel: +420 233 370 594
Fax: +420 233 313 655
Numri i emergjences:
+420 775 041 553

E-MAIL

embassy.prague@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00