MINISTRI I TURIZMIT DHE MJEDISIT Z. BLENDI KLOSI ZHVILLOI NJË VIZITË NË REPUBLIKËN ÇEKE

Janar 2019- Në kuadër të realizimit të prioriteteve të qeverisë shqiptare në fushën e turizmit dhe të investimeve, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi një vizitë pune në Pragë. Vizita u fokusua në dy rrafshe: në promovimin e turizmit shqiptar dhe në prezantimin e mundësive për investime në fushën e turizmit.
Gjatë takimit të Ministrit Blendi Klosi me Ministren çeke të Zhvillimit Rajonal dhe Turizmit, znj. Klára Dostálová, u diskutua mbi mundësitë e promovimit të turizmit shqiptar, që ofron një gamë të gjerë alternativash nga turizmi kulturor dhe gastronomik tek ai natyror. Z. Klosi paraqiti në hollësi projektin e qeverisë shqiptare të 100 fshatrave, që synon ta bëjë tërheqës sektorin e turizmit, sidomos për vende të tilla si: Çekia, Polonia, vendet Baltike, të cilët preferojnë dhe vlerësojnë turizmin e aventurës dhe atë natyror.
Ministri Klosi foli për rritjen e përvitshme të numrit të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë, që gjatë vitit 2018, kapi shifrën 6 milionë, ndërsa numri i turisteve nga Çekia në vitin 2018 është dyfishuar (rritur me 100%) në krahasim me vitin 2016. Sipas anketave të bëra nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, rezulton se 95% e çekëve të intervistuar shprehen se duan të rikthehen ose e rekomandojnë Shqipërinë si destinacion unik turistik. Në veçanti, u fol për bashkëpunim më të ngushtë në mes dy Agjencive të Turizmit, të cilat mund të promovojnë aktivitete të përbashkëta dhe të shkëmbejnë eksperiencën në mes tyre. Gjithashtu, duke marrë shkas nga suksesi që ka patur linja e fluturimit direkte Pragë-Tiranë, gjatë sezonin veror, u diskutua mundësia e shtrirjes përgjatë gjithë vitit.
Një vend të rëndësishëm në bisedën në mes dy ministrave mori ekspozeja që bëri Ministri Klosi investimeve që po promovon qeveria shqiptare në fushën e infrastrukturës, sidomos planet për ndërtimin e tre aeroporteve te reja, në Kukës, Vlorë, dhe Sarandë. Ai u ndal, në mënyrë të veçantë, tek paraqitja e lehtësirave fiskale, që ofron ligji për investimet strategjike në fushën e turizmit dhe sidomos ndërtimi i hoteleve dhe resorteve me 5 yje. Ministri Klosi i ftoi investitorët çekë të përfitojnë nga lehtësimet e mëdha që ofrohen aktualisht nga qeveria shqiptare duke e quajtur Shqipërinë si “diamantin e fundit” të Evropës, dhe si një destinacion të ri ende të pa eksploruar, ku gërshetohet mundësia e shijimit të një turizmi alternativ dhe ekonomik, por edhe si vendi më tërheqës përsa i përket investimeve në fushën e turizmit si hotelieri, marina etj.
Ministri Klosi pati takime edhe me investitore dhe drejtues ekzekutivë të Shoqatave të Agjencive Turistike dhe të Operatorëve Turistikë që zhvillojnë aktivitet në Çeki.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Praha 1, Sněmovní 173/9
PSČ 118 00
Czech Republic

Tel / Fax

Tel: +420 233 370 594
Fax: +420 233 313 655
Numri i emergjences:
+420 775 041 553

E-MAIL

embassy.prague@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00