KRYETARI I KUVENDIT, GRAMOZ RUÇI VIZITOI ÇEKINË

Qershor 2019 -Me 3 dhe 4 qershor, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi zhvilloi një vizitë zyrtare në Çeki, i ftuar nga Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit, Radek Vondráček. Në te gjitha takimet Kryetari Ruçi shoqërohej nga Zv. Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Ralf Gjoni dhe Ambasadori Ilirian Kuka.
Takimi i parë i delegacionit parlamentar shqiptar ishte me Kryeministrin Andrej Babiš. Kryetari i Kuvendit Ruçi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis dy vendeve dhe nënvizoi se këto marrëdhënie duhet të pasohen nga intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe nxitja e investimeve çeke në Shqipëri. Gjithashtu, z. Ruçi falënderoi për mbështetjen e fuqishme dhe të pakushtëzuar të Çekisë për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe kërkoi vazhdimin e lobimit të Kryeministrit Babiš dhe të homologëve të tij të V4 me vendet skeptike të BE-së, në prag të mbledhjes së ardhshme të Këshillit Evropian, për të mundësuar marrjen e një vendimi pozitiv për hapjen e negociatave.
Në takimin mes Kryetarit Ruçi dhe Presidentit të Dhomës së Përfaqësuesve, Radek Vondráček u vlerësua se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis të dy vendeve është lehtësuar edhe nga marrëdhëniet e shkëlqyera parlamentare. Gjatë vizitës së delegacionit shqiptar, në Dhomën e Përfaqësuesve u përurua edhe fillimi i punës së Grupi Parlamentar të Miqësisë çeko-shqiptar. Z. Ruçi foli për reformat e thella që janë ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të plotësuar kriteret për hapjen e negociatave, si dhe për rekomandimin pozitiv të dhënë për të dytin vit radhazi nga Komisioni Evropian i Zgjerimit, të cilat duhet të trajtohen me objektivitet nga Këshilli Evropian.
Delegacioni parlamentar shqiptar, i kryesuar nga z. Ruci u prit nga Zv. Presidenti i Senatit, Jiří Oberfalzer dhe kryetarë të disa komisioneve të Senatit. Gjatë takimit, Kryetari Ruçi, theksoi se marrëdhënieve politike midis vendeve tona e kanë bazën në miqësinë e fortë dhe respektin reciprok midis popujve tanë. Palët diskutuan mbi sfidat që përballet Ballkani Perëndimor, ku Shqipëria luan një rol të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Senatorët çekë theksuan se janë të informuar se Shqipëria i ka plotësuar kriteret për hapjen e negociatave dhe se zgjerimi i BE-së në rajon do të jetë një kontribut i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së Evropës.
Në përfundim, parlamentarët shqiptarë zhvilluan edhe një seancë dëgjimore me Komisionin e Çështjeve të Evropës së Dhomës së Përfaqësuesve. Kryetar Ruçi dhe deputeti Gjoni shpjeguan me detaje arritjet e Shqipërisë në zbatim të rekomandimeve të Këshillit Evropian për pesë prioritetet kyçe dhe kërkuan lobimin e tyre me komisionet homologe në parlamentet e vendeve anëtare, kërkesë e cila u pranua nga deputetët çekë.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Praha 1, Sněmovní 173/9
PSČ 118 00
Czech Republic

Tel / Fax

Tel: +420 233 370 594
Fax: +420 233 313 655
Numri i emergjences:
+420 775 041 553

E-MAIL

embassy.prague@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00