Misioni i Përhershëm i Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës zhvilloi një pritje për të festuar Ditën e Flamurit dhe Ditën e Çlirimit

Me rastin e festës sonë kombëtare, në datën 21 Nëntor 2019, Misioni i Përhershëm i Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës zhvilloi një pritje për të festuar  Ditën e Flamurit dhe Ditën e Çlirimit, me praninë e Sekretares së Përgjithshme e KiE-së Znj. Marija Pejčinović Burić, Ambasadorë të vendeve anëtare të KiE-s, diplomatë, funksionarë të lartë të Këshillit të Evropës, funksionarët shqiptarë në Këshillin e Evropës, si edhe me praninë e komunitetit të shqiptarëve të Strasburgut.

Pritja u çel me luajtjen e himnit shqiptar me violonçel nga muzikanti i njohur shqiptar z. Vlorent Xhafa, i cili prej vitesh është pjesë e Orkestrës së Filarmonisë së Strasburgut dhe vijoi me tej me fjalën përshëndetëse të Ambasadores Albana Dautllari dhe Sekretares së Përgjithshme të KiE-s, znj. Marija Pejčinović Burić.

Në fjalën e saj,  Ambasadorja Dautllari theksoi se Shqipëria nga një vend i izoluar, jo shumë kohë më parë,  ka ndryshuar shumë gjatë viteve të fundit, si rezultat i kontributit të organizatave si KiE , ku është anëtare e përkushtuar  prej vitit 1995 dhe pjesë  e pothuajse 90 konventave, më e fundit anëtarësimi në Konventën Evropiane të Farmakopesë.

Ambasadorja theksoi se Shqipëria, nuk është vetëm një përfaqësuese e vlerave të KiE, por edhe një kontribuese, dhe jo vetëm këtu, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare dhe në këtë kontekst vuri në dukje rolin pozitiv dhe konstruktiv që luan vendi ynë në rajonin tonë dhe kontributin që pritet të japë si kryetare në zyrën e OSBE-së për vitin 2020 dhe, potencialisht, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023.

Në fjalën e saj, Sekretarja e Përgjithshme e KiE-s, znj. Marija Pejčinović Burić vuri në dukje se në Ditën e Shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, u tha se një komision duhet të dërgohej në Evropë "për të mbrojtur interesat shqiptare brenda Fuqive të Mëdha" dhe sot Shqipëria është këtu në Këshillin e Evropës, duke promovuar interesat e veta, si dhe ato të 46 vendeve tona anëtare.

Më tej ajo u shpreh se  mbrojtja e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit i shërben interesave të çdo shqiptari po aq sa secilit evropian dhe në këtë kontekst vlerësoi kontributin  e Misionit  të Përhershëm të Shqipërisë, parlamentarëve dhe të tjerëve këtu në Strasburg  për rolin aktiv në përmirësimin e standardeve në kontinentin tonë.

Gjatë pritjes u luajtën pjesë  muzikore shqiptare në violonçel dhe u shfaqën video promovuese për Shqipërinë.

Adresa

Misioni i Përhershëm i Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës
2 rue Waldteufel,
67000 Strasbourg

Tel / Fax

Tel. +33 388 36 02 06
Fax. +33 967 15 02 06
Nr. i emergjences: +33 3 88 36 02 06

E-MAIL

mission.coe@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00