Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati takon Ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Republikën Popullore të Kinës, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati u prit në takim nga Ministri kinez i Punëve të Jashtme Wang Yi. 

Dy ministrat rikonfirmuan miqësinë tradicionale midis dy vendeve, shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe në kuadër të Nismës 16+1 Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore".

“Dëshiroj të rikonfirmoj angazhimin tonë në forcimin e miqësisë tradicionale dhe besimit reciprok midis vendeve tona” - u shpreh Ministri Wang Yi gjatë bisedës me Ministrin Bushati. Ai nënvizoi ndihmën e Shqipërisë për rikthimin e RPK-së në OKB dhe Këshillin e Sigurimit dhe vlerësoi politikën e Shqipërisë në njohjen e një Kine. “Shqipëria është pjesë e rëndësishme e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe anëtare e Nismës së bashkëpunimit 16+1. Në këtë kontekst, falë përpjekjeve të saj dhe vendeve të tjera të EQL-së dhe Kinës, është rritur bashkëpunimi dhe mirëbesimi mes vendeve tona, por edhe ndërmjet vendeve të EQL-së, të cilat janë bërë shembull i bashkëpunimit rajonal, duke bërë të mundur kalimin në një fazë më të maturuar të bashkëpunimit” - vuri në dukje Ministri Wang. Ai konfirmoi mbështetjen e Qeverisë kineze për projekte me interes reciprok në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe vullnetin për të marrë pjesë në më shumë projekte në fushat e energjisë, infrastrukturës dhe industrisë.

Nga ana e tij, Ministri Bushati konfirmoi vullnetin për intensifikimin e mëtejshëm të lidhjeve dhe bashkëpunimit me Kinën. Aktualisht marrëdhëniet me Kinën reflektojnë një klimë shumë të mirë të bashkëpunimit dypalësh. Për vitin 2016, Kina renditet si partneri i dytë tregtar i Shqipërisë.

Duke siguruar palën kineze, se Shqipëria njeh politikën e një Kine të vetme, Ministri Bushati shprehu vullnetin e palës shqiptare për forcimin e mëtejshëm të dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet: mes dy qeverive, parlamentar, akademik, kulturor dhe në të gjitha fushat me interes reciprok.

Më tej, ai theksoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe bashkëpunimit në fusha të tjera si energjia, infrastruktura, bujqësia, turizmi, kultura dhe arsimi. Në këtë kontekst, Ministri Bushati kërkoi nga pala kineze mbështetje për projektet konkrete në këto fusha dhe sensibilizimin e investitorëve kinezë për klimën e mirë të biznesit në Shqipëri.

Në kuadër të Nismës 16+1, Ministri Bushati rikonfirmoi vullnetin e palës shqiptare për thellimin e bashkëpunimit në drejtim të zhvillimit të infrastrukturës rrugore, hekurudhore, portit dhe aeroportit nën parimin e përfitimit të ndërsjellë. Ai shprehu gatishmërinë për të diskutuar në mënyrë aktive me palën kineze mbi bashkëpunimin për ndërtimin e rrjeteve të transportit rajonal, duke eksploruar mundësitë e bashkëpunimit Shqipëri + Kinë + vendet EQL në këtë fushë si edhe zgjerimin e nismës edhe me anëtarë të tjerë të rajonit. 

Në përfundim të takimit, palët nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit midis dy MPJ-ve për lehtësimin e ndërsjellë të procedurës së vizave dhe Marrëveshjen për godinat e ambasadave në prani të mediave. Në vijim Ministrat Bushati dhe Wang dhanë një deklaratë për shtyp.

“Shqipëria konfirmon me kënaqësi qasjen pragmatike të Kinës në rajonin tonë – u shpreh Ministri Bushati gjatë deklaratës për shtyp – dhe unë dëshiroj të inkurajoj autoritetet kineze të zhvillojnë edhe më tej këtë qasje dhe mbështesin realitetet e raja në Evropën Jug-Lindore, ku janë ngritur mekanizma të reja të bashkëpunimit rajonal. Këto mekanizma – vijoi ai – synojnë të transformojnë armiqtë e vjetër në fqinjë pragmatikë”. “Shqipëria – nënvizoi Ministri Bushati – është një vend i vogël, por një mik i vërtetë dhe partner solid i Kinës dhe popullit kinez. Marrëveshja e rëndësishme që firmosëm sot për lehtësimin e regjimit të vizave e dëshmon qartë këtë dhe unë jam i sigurt që do të bëjë që Shqipëria të jetë një nga destinacionet më të mira në Evropë për investitorët dhe turistët kinezë”.

Ministri Bushati u takua dhe me Kryetarin e Departamentit për Çështjet Ndërkombëtare të PKK-së, z.Song Tao, si dhe ishte i ftuar special dhe mbajti një fjalë në Institutin për Studime Evropiane pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës me temë “Kina dhe vendet e Evropës Jug-lindore: nga konkurrenca në bashkëpunim".

Në takimin me Kryetarin e Departamentit për Çështjet Ndërkombëtare të PKK-së, z. Song Tao, u konfirmua miqësia 67-vjecare ndërmjet vendeve tona dhe u diskutuan potencialet e reja të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.

Në një prej institucioneve më të respektuar në vend, në Institutin e Studimeve Evropiane, pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës, Ministri Bushati prezantoi kursin e reformave të ndërmarra nga Shqipëria, ecurinë dhe përforcimin e marrëdhënieve shqiptaro-kineze, impaktin e iniciativave kineze në Europën Qendrore dhe Lindore, dhe bashkëpunimin tonë në përballimin e sfidave ndërkombëtare.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Guang Hua Lu, 28, Beijing China

Tel / Fax

Tel. +8610 65321120
Fax.+8610 65325451
Nr. i emergjences: +86 13810476221

E-MAIL

embassy.beijing@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E martë - E enjte
08:30-17:00
E premte
8.30-14.00