Marrëdhëniet dypalëshe

Historiku i marrëdhënieve dypalëshe
Marrëdhëniet midis Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë, janë vendosur më 10 shtator të vitit 1987. Deri në vitin 1992 Ambasada e Kanadasë në Beograd mbulonte edhe Shqipërinë. Më pas deri në vitin 1999 ky juridiksion i kaloi Ambasadës së Kanadasë në Budapest, Hungari dhe që prej vitit 1999 e në vazhdim Kanadaja përfaqësohet në Shqipëri nëpërmjet ambasadorit të saj në Romë, Itali. Këto marrëdhënie kanë marrë zhvillim më të madh pas vendosjes së demokracisë pluraliste në Shqipëri. Ato tashmë bazohen në dialogun konstruktiv politik dhe në partneritetin e ngushtë si aleatë në NATO, duke u karakterizuar, gjithashtu, nga një miqësi e konsoliduar.
Në prill të vitit 2001, u hap për herë të parë ambasada e Republikës së Shqipërisë në Otavë, e cila i dha një impuls të ri forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Në dhjetor 2016 muaji nëntor është shpallur me ligj të veçantë nga Asambleja Legjislative e Ontarios dhe dekret mbretëror, Muaji i Trashëgimisë Shqiptare në Provincën e Ontarios.
Në tetor 2017 është kremtuar 30 vjetori i vendosjes së marrëdhëneve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë. Klima tejet pozitive e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve pasqyrohet edhe në bashkëpunimin e frytshëm e konkret ndërmjet dy vendeve në kuadër të organizatave ndërkombëtare, ndërsa partneriteti në fushën e sigurisë konkretizohet në kontributin e përbashkët të dy vendeve në misionin shumëkombësh paqeruajtës në kuadër të NATO-s, të vendosur në Letoni, në komandën e Kanadasë.
Mbajtja e konsultimeve diplomatike përbën, gjithashtu, një tregues të vullnetit të përbashkët për të konsoliduar bashkëpunimin politik, në të mirë të avancimit të marrëdhënieve dhe zgjidhjes së çështjeve që mund të lindin mes palëve përmes një interlokuimi të hapur dhe të bazuar në argumenta.
Bashkëpunimi ekonomik: Kanadaja vlerësohet si një partner i rëndësishëm dhe si e tillë objektiv kryesor në marrëdhëniet dypalëshe, mbetet forcimi i mëtejshëm dhe diversifikimi i bashkëpunimit ekonomik, nëpërmjet një diplomacie ekonomike proaktive, veçanërisht përmes tërheqjes së investimeve kanadeze në sektorë të tillë si ai energjitik, nisur edhe nga potencialet që ekzistojnë në këtë drejtim sa i përket burimeve të energjisë ujore, diellore, të erës, naftës dhe gazit, në sektorin minerar, sektorin e agrikulturës, manifakturës, pjesëve të këmbimit, turizmit dhe ICT.
Baza ligjore e bashkëpunimit: Në kuadër të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, dy vendet kanë nënshkruar:

  • Memorandum i Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kanadasë për ndërtimin e vendqëndrimit të ri të avionëve civilë në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, nënshkruar më 16.02.2001;
  • Memorandum i Mirëkuptimit midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit të Mbrojtjes Kombëtare të Kanadasë lidhur me trajnimin e personelit ushtarak të Forcave Shqiptare në Kanada, nënshkruar më 20.04.2005;
  • Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjensisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve dhe Export Development CANADA (EDC), nënshkruar në Maj 2012;
  • Marrëveshja për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë si edhe Rregullorja administrative për zbatimin e saj ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit të Punësimit dhe Zhvillimit Social të Kanadasë, nënshkruar më 30 prill 2019.

 
Me synim zgjerimin e bazës ligjore të bashkëpunimit, me vullnet të përbashkët, vijon puna për avancimin e Marrëveshjes për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Investimeve të Huaja dhe finalizimin e saj. Plotësimi i kuadrit ligjor, përbën një garanci të mëtejshme për nxitjen e ndërsjellë të shkëmbimeve dhe investimeve dypalëshe.
 
Diaspora e mirë integruar në shoqërinë dhe jetën kanadeze përbën një urë të fortë lidhëse dhe faktor të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve njerëzore dhe bashkëpunimin dypalësh ndërmjet vendeve.

Adresa

Ambasada Shqiptare
130 Albert Street, suite
302 Ottawa, ON, KIP 5G4

Tel / Fax

Tel. +1 613 236 3053
Tel: +1 613 236 3053
Fax. +1 613 236 0804

Only Emergency Cases! Tel: 001 613 864 75 75

E-MAIL

embassy.ottawa@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00