Shqiptarët dhe bullgarët ruajnë mikpritjen si një tipar të pasurisë jomateriale

Ambasadorja Donika Hoxha zhvilloi një intervistë për Qendrën Rajonale të UNESCO-s në Bullgari në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë së Kulturës Jomateriale të Shqipërisë, zhvilluar në format online më 8-21 shkurt 2021. Në këtë intervistë, Ambasadorja Hoxha identifikoi elementët kryesorë të trashëgimisë kulturore jomateriale të Shqipërisë duke e vënë theksin te xhubleta, Këngët e Kreshnikëve dhe Kcimi i bjeshkës me tupan i Tropojës, mbi dosjet e të cilave po punon Ministria e Kulturës. Për Ambasadoren Hoxha, këto tre elementë duhet të jenë pjesë e listës kombëtare nën mbrojtjen e UNESCO-s pasi janë vlera të trashëgimisë botërore. Më tej, ajo nënvizoi se në shportën e trashëgimisë jomateriale shqiptare qëndron iso-polifonia popullore, e cila u shpall në vitin 2005 një Kryevepër e Trashëgimisë Gojore dhe Jomateriale të Njerëzimit.
 
Sipas Ambasadores Hoxha, ruajtja e trashëgimisë kulturore jomateriale është një burim i vlefshëm për ekonominë, kontribuon në identitetin kombëtar dhe vlera shkencore dhe kulturore e bën Shqipërinë më të njohur dhe përmirëson imazhin e saj në botë.
 
Ambasadorja Hoxha vuri në pah nevojën për përfitimin nga të gjitha platformat rajonale për promovimin e kulturës dhe historisë duke përmendur edhe Rrjetin e Ekspertëve të Evropës Juglindore mbi Trashëgiminë Kulturore Jomateriale, themeluar në 2007 nga UNESCO, ku Shqipëria ashtu edhe Bullgaria janë pjesë e saj.
 
Nga ana e saj, Ambasadorja Hoxha bëri thirrje për rritjen e vetëdijes për vlerën dhe funksionin e trashëgimisë jomateriale në rajon dhe ndërmarrjen e aktiviteteve të shumta, që kanë në fokus  këtë trashëgimi. “Angazhimi, qëndrueshmëria, mbrojtja dhe inovacioni duhet të jenë në thelbin e këtyre iniciativave, të cilat duhet të përfshijnë shoqërinë civile, politikëbërësit, profesionistët e trashëgimisë dhe trashëgimisë kulturore, organizatat lokale turistike dhe mbi të gjitha brezin e ri. Ne duhet të krijojmë mekanizma për të përfshirë më mirë komunitetet në procesin e mbrojtjes, përmirësimin dhe zgjerimin e inventarit të kufizuar kombëtar, dhe forcimin e transmetimit të njohurive dhe aftësive të lidhura me trashëgiminë e gjallë në rajonin tonë”, e ka përfunduar intervistën Ambasadorja Hoxha.
 
Linku i intervistës: https://www.unesco-centerbg.org/en/2021/02/09/english-interview-with-h-e-ms-donika-hoxha-ambassador-extraordinary-and-plenipotentiary-of-the-republic-of-albania-to-the-republic-of-bulgaria/

Adresa

Ambasada Shqiptare
Aksakov Street n. 20, 4th floor
1000 Sofia Bulgaria

Tel / Fax

Tel. +359 29433857
Fax. +3592 943 3069
Emergency
+359 89 4311493

'

E-MAIL

embassy.sofia@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E enjte
09:00 - 17:00

E premte
09:00 - 15:00