
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka zhvilluar një vizitë zyrtare dy ditore në Bullgari. Në takimin me Zëvendëskryeministren për Reformën në Drejtësi dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva është nënvizuar mbështetja e palëkundur e Bullgarisë në integrimin evropian të Shqipërisë. Ministrat kanë theksuar përparimin e qëndrueshëm të bërë nga Shqipëria duke kërkuar vijimin e mëtejshëm të reformave.
Pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe bashkëpunimi në fushën ekonomike, nxitja e shkëmbimeve tregtare, përfundimi i punimeve të Korridorit 8 dhe rivendosja e linjës ajrore direkte Tiranë-Sofje.
Në kuadër të bashkëpunimit multilateral, Ministrja Zaharieva ka shprehur mbështetje ndaj kandidaturës shqiptare për në Këshillin e Sigurimit si anëtare jo e përhershme në vitet 2022-2023.
Takimi i Ministrave të Jashtëm është konkretizuar me nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes së Mjedisit dhe Ujërave.