Prezantohet libri „Rizbulimi i të përbashkëtave - një kaleidoskop i historisë dhe i së tashmes së marrëdhënieve shqiptaro-austriake".

Në vijim të aktiviteteve në kuadër të Vitit të Kulturës 2018 Austri-Shqipëri, në datën 29 tetor 2018, u organizua në Akademinë Diplomatike të Vjenës prezantimi i librit „Rizbulimi i të përbashkëtave - një kaleidoskop i historisë dhe i së tashmes së marrëdhënieve shqiptaro-austriake", një botim i posaçëm për Vitin e Kulturës 2018 Austri-Shqipëri, nga Ministria për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Vjenë.
Libri prej 175 faqesh është një përmbledhje pjesësh letrare në prozë e poezi, shkrimesh dokumentare dhe reportazhesh, studimesh kërkimore historike dhe sociologjike, si dhe prezantimi fotografish dhe pikturash nga autorë shqiptarë dhe austriakë që hedhin dritë dhe vijnë si dëshmi mbi marrëdhëniet historike e aktuale shqiptaro-austriake.
Bashkëpunuan për organizimin e këtij aktiviteti Shoqata e Miqësisë Austri-Shqipëri dhe Fondi Austriak i Integrimit. Të pranishmit e shumtë austriakë dhe nga komuniteti shqiptar në Austri u përshëndetën nga Ambasadori i RSH-së në Austri z. Roland Bimo, nga Drejtorja për Marrëdhëniet Kulturore me Jashtë në Ministrinë për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë, Ambasadore Teresa Indjein, Drejtori i Akademisë Diplomatike, Ambasador Emil Brix, Presidentja e Nderit e Shoqatës së Miqësisë Austri-Shqipëri Znj. Elisabeth Gehrer, Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Austri-Shqipëri, Ambasador Arno Riedl (ish-ambasador i Austrisë në Shqipëri 1997-2001) dhe Presidenti i Federatës austriake „Partner i të gjitha Kombeve“ (PaN Gesellschaft) Prof. Univ.Dr. Hermann Mückler.
Me këtë rast, Shoqatës së Miqësisë Austri-Shqipëri iu dha Çmimi PaN 2018, një çmim vjetor që jepet nga Ministria për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë dhe Federata PaN - Partner i të gjitha Kombeve (PaN Gesellschaft mbështet në veprimtarinë e tyre mbi 100 shoqata që veprojnë në Austri me synim thellimin e miqësisë dhe partneritetit mes Austrisë dhe vendeve të tjera). Shoqata e Miqësisë Austri-Shqipëri u vlerësua për aktivitetin dhe përpjekjet e saj për dialogun e paanshëm dhe paqësor, jo vetëm midis Austrisë dhe Shqipërisë, por edhe me vende, kultura dhe besime të tjera fetare.
Përfshirja në program i leximit të pjesëve të librit nga një aktor profesionist austriak dhe i interpretimit të disa këngëve të njohura shqiptare nga mexosoprano shqiptare Flaka Goranci, shoqëruar në kitarë nga artisti shqiptar Alfred Bushi, i shtuan emocionet e kësaj mbëmjeje.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Prinz Eugen Str. 18/1/5
A-1040 Vienë

Tel / Fax

Tel. +43 1 328 8656
Fax. +43 1 328 8658

E-MAIL

embassy.vienna@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00