Aktivitete të Ambasadës me rastin e Festave Kombëtare të 28-29 Nëntorit

Komuniteti shqiptar në Australi feston 28-29 nëntorin së bashku me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës.

Ambasada e RSH në Australi në bashkëpunim me Shoqatën e Komunitetit Shqiptaro-Australian (AACA) me qendër në Melburn dhe Shoqatat shqiptare të Dandenongut dhe Sheppartonit (shteti Victoria) organizuan nga dt.27-29 nëntor 2020 disa aktivitete festive me rastin e 108 vjetorit të Ditës së Pavarësisë dhe 76 vjetorit të Ditës së Çlirimit të atdheut.

Ceremonia kryesore festive u zhvillua në qendër të Melburnit (Federation Square) në një shesh simbolik ku të gjitha komunitetet e vendeve të ndryshme organizojnë aktivitete të kësaj natyre. Nën tingujt e muzikës shqiptare dhe në sheshin e zbukuruar me flamuj të Shqipërisë erdhën për të marrë pjesë në këtë ceremoni shqiptarë nga të gjitha trevat tona, Kosova, Shqipëria, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi etj. Një pjesë e tyre, sidomos fëmijët ishin veshur dhe me kostume kombëtare shqiptare.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Ambasadori i Kosovës në Australi, z. Hajdin Abazi, Kryetari i Bashkisë së Dandenongut Jim Memeti, Kryetari i Këshillit të Shoqatës shqiptare të Sheppartonit, z. Enver Sabri, ish-kryebashkiaku i Sheppartonit, z. Dinny Adem, Koordinatori për Diasporën shqiptare në Australi z. Bashkim Bekiri, si dhe aktivistë të shquar të komunitetit shqiptar në Australi.

Ceremonia u hap me nga një fjalë përshëndetëse të mbajtur nga Sekretari i Shoqatës së Komunitetit Shqiptaro Australian (AACA), z. Edmond Bebri dhe Kryetari i AACA, z. Sezar Jakupi, të cilët ja dhanë fjalën të Ngarkuarit me Punë të Ambasadës së RSH, Dr. Edmond Trako dhe Ambasadorit të Kosovës z. Hajdin Abazi për të përshëndetur të pranishmit. Në vijim, Kryetari i AACA, z. Jakupi ftoi të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së RSH, Dr. Edmond Trako për të ngritur flamurin shqiptar nën tingujt e Himnit tonë Kombëtar.

Festën Kombëtare e përshëndetën me poezitë e tyre të bukura kushtuar kësaj dite edhe artistë shqiptarë të moshave të ndryshme. Para dhe mbas ceremonisë nga drejtuesit e Ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës ju dhanë intervista disa prej programeve kryesore të Radiove SBS dhe 3 ZZZ me qendër në Melburn, etj. Festimet e 28 nëntorit u mbyllën me një pritje tradicionale që AACA kishte organizuar në ambientet e një restoranti shqiptar në Melburn.

Në vijim dt. 28 dhe 29 nëntor u zhvilluan takime festive dhe fjalë përshëndetëse me rastin e 28-29 nëntorit edhe në qytetet e Dandenongut dhe Sheppartonit, të cilat janë dy qendra ku jetojnë 6-7 mijë shqiptarë. Në qytetin e Shappertonit u zhvillua edhe një pritje protokollare e organizuar nga Këshilli Bashkiak i qytetit, si dhe disa vizita e takime në Shoqatat shqiptare të këtyre dy qyteteve.

Në të gjitha këto aktivitete të pranishmit u përshëndetën nga ana e përfaqësuesve të Ambasadave të Shqipërisë e Kosovës. Portali Diasporashqiptare.al ju bëri jehonë këtyre aktiviteteve të shoqëruara edhe me një set fotografish, të cilat u pasqyruan edhe në fb, twitter dhe instagramin e Ambasadës RSH në Australi.

Aktivitete festive me rastin e festave të 28-29 nëntorit u zhvilluan edhe në qytete të tjera të Australisë si në, Adelaide, Sidney, Perth, Brisbane etj.

 

 

 

 

 

 

 

Adresa




Embassy of the Republic of Albania
13 Culgoa Circuit, O’Malley
Canberra, ACT 2606
AUSTRALIA

Kontakte




Tel: +61 2 6290 2332
Fax: +61 2 6290 6974
Emergency call: +61 450 977 145
Lutemi, që ky numër të përdoret vetëm në raste urgjente.

   Orari zyrtar
    09:00 – 17:00




Orari i shërbimit konsullor:
Të Hënë deri të Premte, 09:00 – 13:00.
Telefon për informacione rreth shërbimit konsullor:
Të Hënë deri të Premte, 09:00 – 13:00.
Shërbimi konsullor është i mbyllur në ditët e festave zyrtare dhe të fundjavës, me përjashtim të rasteve të emergjencës.